Bota

Liderët botërorë dënojnë sulmin ndaj ish-presidentit amerikan, Trump!

Udhëheqësit botërorë dënuan të shtënat me armë zjarri ndaj Donald Trump-it e që tronditën fushatën zgjedhore në SHBA duke rritur frikën për dhunë të mëtejshme politike. Një person u vra dhe dy u plagosën nga arma gjysmëautomatike e një 20-vjeçari, që u ekzekutua nga agjentët. Thomas Matthew Crooks njihej si votues republikan dhe shprehej se urrente Trump-in, të cilit i shkaktoi një lëndim të lehtë në veshin e djathtë, por asgjë serioze dhe paraqitet në gjendje shëndetësore të mirë.

Përmes zëdhënësit, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dënoi atë që Byroja Federale e Hetimit (FBI) e cilësoi si tentativë vrasjeje.

Sekretari i Përgjithshëm dënon këtë akt të dhunës politike. Ai i dërgon urimet më të mira presidentit Trump për një shërim të shpejtë!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen u shpreh “thellësisht e tronditur” nga të shtënat.

Dhuna politike nuk ka vend në një demokraci. I uroj Donald Trump-it shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia familjes së viktimës së pafajshme.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, deklaroi se dhuna politike nuk është kurrë e pranueshme.

Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump, ata që ishin në vendngjarje dhe të gjithë amerikanët.

Shefi i diplomacisë të Bashkimit Europian, Josep Borrell:

Edhe një herë, ne jemi dëshmitarë të akteve të papranueshme të dhunës kundër përfaqësuesve politikë, teksa u shpreh i tronditur e dënoi ashpër sulmin.

Ndërkaq, kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ditë më parë e vizitoi Trump-in në shtëpi në Florida, tha se mendimet dhe lutjet e tij ishin me ish-presidentin e SHBA-ve.

Presidenti i Ukrainës, i cili në të kaluarën ka patur një marrëdhënie të vështirë me Trump-in, tha se ishte i tmerruar kur dëgjoi për të shtënat.

Dhunë e tillë nuk ka justifikim dhe nuk ka vend askund në botë.

Shërim të shpejtë Trump-it i uroi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Për atentatin, reaguar dhe të tjerë liderë të rajonit të Ballkanit Perëndimor, krahas kryeministrit Edi Rama e presidentit Bajram Begaj.  Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dënoi sulmin dhe i uriu shërim të shpejtë e të plotë.

Mospajtimet politike në një demokraci gjithmonë duhet të shprehen përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen nga zgjedhje të lira dhe fer.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç shprehu shqetësimin, duke e dënuar “dhunën si mjet për përplasje politike”.

I uroj shërim të shpejtë, duke e ditur se ai do të dalë nga kjo luftë edhe më i fortë.

Sulmi ndaj Trump-it u dënua edhe nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova.

Dhuna politike nuk ka vend në demokraci!

Të shtënat në Pensivlani ndodhën dy ditë para nisjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Republikane, ku Trump pritet të sigurojë nominimin e partisë për të garuar në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.