Liderët arabë sot takohen në Bahrein për samitin, që pritet të dominohet nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Bashkimi Europian. Kjo në kohën kur nuk ka shenja se mund të arrihet së shpejti një armëpushim.
Udhëheqësit e 22 anëtarëve të Ligës Arabe takohen në Manama. Kjo është hera e parë që ky bllok mblidhet që nga samiti i jashtëzakonshëm në Riad të Arabisë Saudite e që u mbajt nëntorin e vitit të kaluar. Në atë takim kishin marrë pjesë edhe anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim Islamik.
Në muajin nëntor, kujtojmë se liderët dënuan veprimet e quajtura “barbare” të forcave izraelite në Gaza, por nuk kishin miratuar vendosje të masave ndëshkuese ekonomike dhe as nuk kishin marrë ndonjë vendim për hapa politikë ndaj Izraelit, pavarësisht zemërimit të rritur në rajon për luftën në Rripin e Gazës.
Kjo mund të ndryshoi kësaj radhe, pasi mbështetja për një zgjidhje me dy shtete është rritur në mbarë botën. Një zgjidhje e tillë për konfliktin e gjatë mes izraelitëve dhe palestinezëve është shtyrë përpara që prej një kohe të gjatë edhe nga shtetet arabe.
Teksa lufta po vazhdon, Katari që ndërmjetëson bisedimet mes Izraelit dhe Hamasit, tha se bisedimet për armëpushim dhe lirim të pengjeve kanë ngecur. Lufta shpërtheu pasi Hamasi sulmoi më 7 tetor 2023 jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe duke rrëmbyer afro 250 të tjerë.
Nga ofensiva e ushtrisë izraelite janë vrarë me mijëra persona, shumica civilë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga grupi Hamas.
Një ditë më herët, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se pothuajse 50 mijë persona janë evakuuar nga Rafahu, në jug të Gazës, teksa insistoi se shteti i tij do të kryejë operacion kundër batalioneve të Hamasit në këtë qytet, pavarësisht se një operacion i tillë në Rafah ku janë strehuar shumë palestinezë është kundërshtuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.