Pas vdekjes së Matthew Perry-t në moshën 54-vjeçare, libri i tij me kujtime “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, i botuar saktësisht një vit më parë, është ngjitur përsëri në krye të listës së librave më të shitur në SHBA dhe Britani të Madhe. Ashtu siç pritej, vdekja e tij solli në sipërfaqe luftën e aktorit me varësitë dhe situatat e vështira që përjetoi gjatë jetës së tij.
Kështu, pak ditë pasi u gjet i vdekur në xhakuzin e shtëpisë së tij, fansat po i shfletojnë sërish faqet e librit për të lexuar jetën e tij dhe ngjarjet që e kanë shënuar. Në të vërtetë, shitjet e tij “rrëzuan” kujtimet e Britney Spears “The Woman in Me” nga kryesimi i listës më të shitur të Amazon, siç raportohet nga Daily Mail.
Libri “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing” është përkthyer tashmë në më shumë se 25 gjuhë në mbarë botën. Në më shumë se 250 faqet që shkroi, aktori detajon betejën e tij personale me varësitë, duke zbuluar se ai shpenzoi miliona dollarë në rrugëtimin e tij drejt të qenurit esëll. Në një intervistë në vitin 2022, ai u shpreh:
Duhet të prisja derisa të isha plotësisht i pavarur dhe larg varësisë për të shkruar të gjitha këto. Dhe gjëja kryesore ishte se isha shumë i sigurt se do t’i ndihmonte njerëzit.
Aktori i ndjerë Matthew Perry donte të ndihmonte të tjerët që po luftonin me abuzimin me drogën përpara vdekjes së tij tragjike. Sipas People, ylli i “Friends” planifikoi të krijonte një organizatë për të ndihmuar ata që vuanin nga problemet e abuzimit me substancat. Në kujtimet e tij, “Friends, Lovers and Big Terrible Thing”, Perry përshkroi problemet e tij të varësisë, duke shpjeguar se pse shkoi në rehabilitim 15 herë.