Colleen Hoover është thuajse në çdo faqe Tik-Tok-u kur vjen puna tek librat. Shkak i kësaj mund të jetë se historitë e saj janë të lehta e të dashura nga një audiencë e gjërë. Autorja ka jo një po dy libra në vend të parë të librave më të shitur të New York Times “It Starts With Us” dhe “It Ends With Us” të cilët aktualisht janë duke u kthyer në filma nga Hollywood-i. “Ugly Love” është një histori dashurie e komplikuar për atë dashurinë me shikim të parë, e cila jo gjithmonë është si nëpër filma.
336 faqe
Herën e parë që heroina e librit Tate Collins takohet me pilotin e aviacionit civil Miles Archer nuk e kupton që do të binte brenda me të. Por tërheqja mes të dyve është e menjëhershme dhe e plotfuqishme, fillimisht vetëm fizike e më pas zemërthyese. Tate dhe Miles bëjnë një pakt që do të ishin vetëm partnerë seksualë dhe nuk do të kërkonin asgjë më shumë nga njëri-tjetri. Seksi është fantastik, por Tate do më shumë, atë që Miles nuk ja jep dot, sepse e shkuara e tij fsheh një sekret që e ka ndryshuar atë përgjithmonë. Dy rregullat e tij për të:
Mos Pyet për të shkuarën dhe mos prit të ardhme për ne
Do të jenë mundimi i personazheve dhe lexuesit deri në faqen e fundit, sepse ajo që nis si një tërheqje fatale kthehet shpejt në një dashuri të mundimshme.
Zemrat mësyhen
Premtimet thyhen
Rregullat përthyen
Dashuria ligësohet.
Hoover nuk është e tërhequr në këtë libër të sajin. Që në kapitullin e parë, çifti Miles dhe Tate, të cilët duket të kenë zbuluar sekretin e një marrëdhënie të shëndetshme në shekullin e ri, përplasen me ‘ajsbergun’ e parë.
Colleen Hoover prej disa vitesh është kudo ku lexohet – në avion, tren, në plazh. Emri i saj qarkullon rëndom edhe në rrjetet sociale. Ajo është kthyer në një Danielle Steel të shekullit të 21. Nëse premisat e paragrafit të parë janë ato të atij që e konsideroni një libër të mirë, më lejoni t’ju them që ky nuk është një i tillë. Me gjasë është libri më i keq që kam lexuar ndonjëherë. Por ky jam unë, ç’ështje shijesh fundja. Megjithatë më lejoni t’ju argumentoj pse mendoj se ky është një libër idiot, të cilin [hamëndësoj se] autorja e ka shkruar në presionin e një force madhore, sepse nuk gjej arsye pse emri i saj do ishte në atë që mund të ishte një hartim 8-vjeçareje i dorës hormonale së një adoleshenti.
Rrotullumi i syve fillon gjithashtu që në kapitullin e parë, ç’po them, mbase që në faqet e pare të takimit të dy protagonistëve. Gjuha e varfër, dialogjet skematike si edhe logjika pornografike që i lidh ata bashkë është pak të thuash qesharake. Do thoni, ‘Ua po ky, çfarë mendesie të vjetër paskërka’ – në fakt jo, jam pro seksit rastësor, po këto kontratat kështu alla "50 Shades of Grey" varianti Ali Baba Express janë të tepërta.
Marrëdhënia e çiftit nuk e dimë ku bazohet. Tate thotë se:
Miles nuk buzëqesh për askënd tjetër veç meje.
Hoover, në çdo faqe të librit flitet për sa fjalë pak dhe sa pa shprehi fytyre është ai. Se si mund të biesh brenda me një djalë të tillë, hajt e gjeje. Edhe vrasësit serialë shprehin më shumë. Por sado i mangët është Miles, Tate bëhet tapet për të. Ajo edhe pse në fillim duket një vajzë normale, me siguri ka patur një të shkuar abuzive, se vetëm një vajzë me probleme të thella psiko-emocionale mund të sillet në këtë formë.
Thuajse i gjithë libri është shkruar me fjalë të vogla. Aq të vogla sa të bën të mendosh se edhe një 4 vjeçar ose një banor mesatar i Big Brother, me siguri, ka më shumë fjalë në fjalor. Ky është libri i parë që lexoj prej Hoover, nuk di të them nëse të gjithë librat e saj janë si ky, por e dyshoj shumë. Ndryshe do më vinte keq për botën.
I mbushur me seksizëm, stereotipe blatante në çdo faqe. Ky libër është ekuivalenti i filmit "The Room" (konsideruar filmi më i keq në histori) me të vetmin ndryshim që nuk do të kthehet kurrë në një legjendë që të shkrin gazit. Fjali në muret e tualeteve publike janë më të bukura se fjalitë e këtij libri.
Edhe pse Tate hiqet heroina e librit nga autorja, Miles është boshti i librit. Miles dhe drama e tij, e të shkuarës, që e ka tronditur aq thellë sa e ka kthyer në një makinë seksi automatike për vajzat si Tate që nga jeta duan vetëm orgazma. Edhe në pornot më të dobëta vë bast që konflikti nuk është kaq patetik.
Natyrisht ka njerëz që kanë qarë me historinë e lexuar në faqet e këtij libri. Edhe unë qava, me veten, që harxhova dy ditët e plazhit që s’i kthej dot më duke lexuar një paçavure.