Evelin Hygo është idhulli magjepsës që admironi, njëkohësisht luftëtarja e pamëshirshme që do dëshironit të ishit. Historia e jetës së saj të copëton zemrën, me të gjithë bukurinë e saj. Një gjë është e sigurit, nëse do t’u binte në dorë ky libër, nuk do të mund ta lëshonit nga duart.
467 faqe
"Ikona e filmave të Hollivudit Evelin Hygo, tashmë e moshuar dhe e tërhequr nga bota, më në fund ndihet gati të thotë të vërtetën lidhur me jetën e saj magjepsëse e njëkohësisht skandaloze. Por, kur zgjedh gazetaren e panjohur të një reviste, Monika Grantin, për këtë punë, askush nuk habitet më shumë se vetë Monika. Pse ajo? Dhe pse tani?
Monikës nuk i shkojnë punët mirë. Burri e ka lënë, jeta profesionale i ka marrë rrugë pa krye. Pavarësisht se pse e zgjodhi Evelina për t’i shkruar biografinë, Monika është e vendosur ta përdorë këtë mundësi për t’i dhënë një shtysë përpara karrierës.
Në apartamentin luksoz të Evelinës, Monika dëgjon e mahnitur historitë që i tregon aktorja. Duke e nisur nga mbërritja në Los Anxhelos në vitet 1950, tek vendimi për ta lënë biznesin e shfaqjeve në vitet 1980 dhe, sigurisht, duke i treguar edhe për shtatë burrat që kishte ndërruar, Evelina shtjellon një histori ambicieje të pamëshirshme, miqësish të papritura dhe dashurish të ndaluara. Monika fillon të ndihet mjaft e lidhur me yllin legjendar por, ndërsa historia e Evelinës i afrohet fundit, bëhet e qartë se, jeta e saj ndërthuret me atë të Monikës në mënyrë tragjike dhe të pakthyeshme.
Është e vështirë ta ndash se çfarë mendon për këtë libër. Personazhi kryesor është jo fort i pëlqyeshëm, por shumë tërheqës. Ka diçka në karakterin e saj që të bën ta adhurosh. Vendosmëria deri në pafytyrësi, e pa cënuar nga asgjë për t’ia dalë është njëkohësisht e dënueshme dhe e adhurueshme. Mënyra se si Hygo përdori çdo njeri në jetën e saj vetëm për t’ia dalë të ishte e famshme dhe e pasur të bën të mos ta duash personazhin e akoma më keq të mos provosh emocion për të.
Evelin Hygo është sidoqoftë një grua që dashuron – një grua që përtej 7 bashkëshortëve të saj – fsheh shumë sektrete – sekretet të cilat në fund të ditës të bëjnë të zgjedhësh ta kuptosh [ose jo]. Libri është ndër ata që edhe pse nuk të pëlqen në veçanti asgjë, vazhdon ta lexosh me një ëndje të fuqishme.
Historia është e mbushur me tragjedi për shumicën prej personazheve. I vështirë për t’u lexuar, kryesisht drejt fundit. Edhe pse personazhet janë të vështirë për t’u relacionuar, narrativa emocionale të bën ta vazhdosh ta lexosh librin deri në fund. Diçka e çuditshme kjo për një libër për të cilin mbasi e ke lexuar nuk e ndan dot mendjen nëse të ka pëlqyer apo jo… Monika për shembull qaset si një personazh i sheshtë, një-dimensional. Ajo, deri diku, nuk të shkakton asnjë farë empatie përpos vështirësive që po kalon në jetën e saj mondane. Marrëdhënia e saj me Evelin e ndryshoi rrënjësisht botën e saj, por sidoqoftë fuqia e personazhit kryesor (Evelina) e zbente vazhdimisht personazhin mbështetës.
“Shtatë bashkëshortët e Evelin Hygosë” nuk është fort një libër shezlloni sepse bart një dramë të fortë në fund dhe një zgjidhje realiste por të dhimbshme. Nëse doni të lexoni një libër argëtues ky është libri që po kërkoni. Njësoj si “Babylon” i Damien Chazelle, mbas vellos shkëlqyese të Hollywoodit fshihen sfumatura jo fort vezulluese, të cilat burimin e kanë tek cdo lloj ndjesie tjetër veçse dashuria,
E të mendosh se pretendohet që kjo industri, motivues kryesor ka dashurinë.
Libri i cili qëndroi gjatë në listën e më të mirëve të New York Times që pas publikimit të tij fillestar në 2017 thuhet se shpejt do të kthehet një serial të “Netflix” nga autorja Liz Tigelaar e cila mori një nominim Emmy për përkthimin televiziv të librit po ashtu best-seller “Little Fires Everywhere”.