208 faqe
Ky është një manual për të kuptuar fuqinë e personalitetit. Autorja Florence Littauer arrin të sintetizojë në pak faqe rëndësinë dhe vlerësimin e personalitetit duke i mëshuar idesë se ai është i lindur dhe jo i fituar, duke i dhënë prindërve, kujdestarëve, gjyshërve udhëzime konkrete se si duhet të qasemi me personalitetet e ndryshme të më të vegjëlve. Përmes këtij libri do të mësoni si të pranoni dhe shijoni tiparet e karakterit që na bëjnë të ndryshëm nga njëri tjetri. Me këshillim të drejtpërdrejtë dhe anekdoda të shumta “Personality Plus” do t’ju ndihmojë të forconi sjelljet e mira karshi fëmijëve tuaj dhe të korrigjoni dobësitë të cilat mund t’ju kenë prishur punë deri tani.
Nëse keni fëmijë ose po prisni të bëheni prind ky është një nga librat që duhet të lexoni dhe mbani gjithmonë në librarinë tuaj për t’iu rikthyer sa herë që e shihni të nevojshme. Si prind i tre fëmijëve, të cilët janë shumë të ndryshëm karakterialisht nga njëri tjetri, e kam gjetur shumë të vlefshëm “Personality Plus” të Florence Littauer. Hiq faktin që ajo është Kristiane, unë jam ateist, në faqet e librit do të gjeni ushtrime konkrete dhe udhëzime tepër ndihmuese për t’iu qasur siç duhet karaktereve të ndryshme që fëmijët kanë. Dhe jo vetëm. Aplikimi i librit shkon edhe përtej – në rrethin tuaj familjar e miqësor.
Libri i kategorizon në katër kolona personalitetet njerëzore.
Nëse jeni tipi që nuk ju pëlqejnë kategorizimet dhe mendoni se nuk i përkisni një kutie të caktuar, për lojë mundohuni ta vendosni veten në njërën prej kolonave..
Për t’iu ndihmuar lexoni edhe këto cilësime:
Tipi Gërrnjar / Choleric, Pikat e forta:
– Lider i lindur
– I shkëlqyer për të përfunduar detyrat që i jepen
– I vendosur
– I pëlqen të fitojë
Tipi Gërrnjar / Choleric, Pikat e dobëta:
– Bën si shef
– I shkel njerzit me këmbë
– Tingëllon i egër
– I paduruar
Sanguinët, Pikat e forta:
– Shpirti i festës
– Gallatë
– I gjallë
– Krijues
Sanguinët, Pikat e dobëta:
– Harraq
– Flet Shumë
– Merr shumë gjëra përsipër dhe harron gjysmat syresh
– I paorganizuar
Melankolikët, Pikat e forta:
– I Organizuar
– Shumë i talentuar muzikalisht
– I aftë me tabelat
– Shënon dhe analizon çdo gjë
Melankolikët, Pikat e dobëta:
– Priret të shohë gjërat negative
– Shqetësohet tërë kohës
– Mendon se të gjithë e kanë mendjen tek ai
– Kritikon të tjerët shpesh
Flegmatikët, Pikët e forta:
– Dëgjues
– Paqësor
– Vendos të tjerët para vetes
– I bën të tjerët të ndihen mirë
Flegmatikët, Pikat e dobëta:
– Vetbesim i ulët
– I zvarrit gjërat
– Urren konfliktin
Disa shembuj personalitetesh prej librit:
1. Puna/Detyrat
Një gërrnjar mbaron punën (ose detyrën që i është caktuar / ka marrë përsipër) e tij përpara gjithçkaje sipas fjalës së urtë Punën e sotme mos e lër për nesër.
Një sanguin e lë punën deri në moment të fundit, madje ndonjëherë dikush (një gërrnjar ose melankolik) duhet ta kujtojë për këtë.
Një melankolin planifikon çdo gjë – para – gjatë – dhe pas kryerjes së punës.
Një flegmatik është edhe më keq se një sanguin, shpesh puna e tij dorëzohet një minutë përpara afatit, madje ndonjëherë nuk dorëzohet fare.
2. Sjelljet shoqërore
Një gërrnjar kur shkon në një festë është e para që gjen grupin e saj dhe nuk ndahet prej tyre. Vjen në orën e ftesës madje ndihmon edhe organizatorin me mbarvajtjen e festës.
Një sanguin kur shkon në një festë argëtohet pafund. E duan të gjithë sepse sjell gëzim kudo ku afrohet. I flet të gjithëve dhe të gjithë e dëgjojnë e qeshin me të. Të ftuarit ndjehen të lumtur që e kanë pasur në festë.
Një melankolik shikon të gjitha problemet dhe difektet e festës dhe organizimit të saj, merret gjithë kohës në vazhdim se sa keq është kjo apo ajo gjë dhe sa ndryshe do kishte qënë po të ishte festa e tij.
Një flegmatike shon në festë vetëm nëse ka grupin e saj të shokëve aty. Nuk dëshirën të shkojë, por ata ja kanë kërkuar të jetë aty. Ngaqë do të kënaqë ata, edhe pse nuk ka dëshirë fare, e shkel njërin sy dhe shkon.
3. Si ti bësh të lumtur katër personalitetet…
Nëse do të bësh një gërrnjar të lumtur thuaji që kontrollin e ka ai.
Nëse do të bësh një sanguin të lumtur rri më të gjithë ditën dhe vetëm dëgjo.
Nëse do të bësh një melankolik të lumtur, ndiq rregullat e tij, edhe nëse nuk je dakord me to.
Nëse do të bësh një flegmatik të lumtur lejoje të të ndihmojë (edhe pse nuk të ndihmon hiç) dhe falenderoje për ndihmën (edhe pse inegzistente).
Nëse keni një klub leximi ky libër është fantastik për të nxitur diskutime dhe të qeshura. Përdoreni dijen që merrni nga ky libër për të forcuar pikat e dobëta të karakterit tuaj.
Ndryshe nga cilësitë e shenjave të horoskopit, personaliteti është i përpunueshëm, dhe ushtrimet e librit janë ndihmuese për të mos thënë fjali të tipit:
Jam vonë si sanguin që jam!…
Përdoreni librin në avantazhin tuaj për të kuptuar veten dhe të tjerët e për të thënë gjënë e duhur në momentin e duhur. Në epokën e librave vetë-ndihmues, ky libër edhe pse jo-shterues, të ndihmon më shumë se broçkullat e Tony Robbins dhe të ngjashmëve.