Me zgjuarsi lozonjare, këshilla me këmbë në tokë, dhe vështrime të thella kritike, autoret e librit best seller “How To Be Parisian” (“Si të jesh Parisiane” Botimet Dudaj 2015) i qasen sërish artit parisian të të rriturit. Caroline de Maigret dhe Sophie Mas, rikthehen për t’iu argëtuar, për të thënë atë që mendjet e mendojnë, por gjuhët s’guxojnë ta artikulojnë. Sidoqoftë koha nuk është në duart e tyre, ndaj përshtatja për të ruajtur Parisianen brenda tyre pavarësisht viteve që ikin, modifikimi i zakoneve të tyre prej bad-girls (vajza të paturpshme) dhe evolucioni i mëndësive të tyre pa kufinj kufizues është i udhës tashmë që nga mademoiselle kthehen në madame
272 faqe
Parisianet boheme ikonoklastike këshillojnë lexuesin e tyre për dashurinë, joshjen, modën dhe takimet në një tjetër etapë të jetës së tyre. Po aq për familjen, punën, të jetuarit vetëm dhe pranimin e difekteve. Thumbues dhe me humor nofull-shyes, ky është një manual mbi gratë e shekullit të ri, gra të cilat drejtojnë jetët e tyre me të drejta të plota.
Pasi ndihmoi gratë e dynjasë të ndjeheshin më Parisiane, pavarësisht ku jetonin, Caroline de Maigret dhe mikesha e saj më e mirë, po aq bashkëautore e dy librave të saj, Sophie Mas, nuk e lanë me aq suksesin e tyre të parë. E ndërsa "Si të jesh Parisiane" një sukses ndërkombëtar i 2014, një lloj manuali me fotografi e tekst vinte me shumë humor, stil dhe zakone të keqija, "Older, but Better, but Older" vjen natyrshëm si nevojë e përsiatjeve, digresioneve, bisedave të forta, të mirave dhe të këqijave që afrohen me plakjen. Një nga ato librat e bukur që i ke tek komodina e krevatit në dhomën e gjumit dhe i merr sa herë do diçka të lehtë por shumë për të qeshur, sepse ironia therëse dhe sarkazma rikthehen me gjithë fuqinë e tyre edhe në këtë libër të dytë.
Nëse i ke lexuar të dy librat do të kuptosh se ndryshimi mes të parit dhe të dytit është tek qasja. Nëse i pari ishte një komedi deri në fantazi utopike, ky është më i thellë (aq i thellë sa mundet të jetë një libër i kësaj prerjeje); duke përplasur të vërteta të ashpra, pyetje të pashmangshme që vijnë me moshën, marrëdhënie që ndryshojnë, dinamikat e takimeve (romantike), pro-të dhe kundrat e kirurgjisë plastike si dhe mosha fizike përkundër asaj emocionale.
Ndërsa libri i parë i Caroline de Maigret & co. luante me mitin e grave të paprekshme të kryeqytetit francez, perfekte në imperfeksionin e tyre, ky libër manifeston një këndvështrim më realist, duke rrëfyer se, si kudo tjetër në glob, gratë i lodhin të njëjtat halle, halle me të cilat nëse nuk bën paqe e ke të pamundur të jetosh një jetë të rehatshme, të jesh e fortë dhe e lumtur.
Sidoqoftë zonjat vazhdojnë të ruajnë një qasje komike ndaj të gjitha temave që ngrejnë, duke vërtetuar se jeta jetohet më mirë kur nuk e merr veten apo atë vetë shumë seriozisht. Jo rrallë libri has në tema të cilat konsiderohen ende tabú me një mesazh të qartë i cili mund të përmblidhet me përfundimin se është më e lehtë të pranosh plakjen sesa ta luftosh atë.
Sigurisht mos ngrini pritshmëri për këtë libër përtej çfarë është, një ripaketim i publikimeve të revistave të modës, një lexim i lehtë, por shpesh i nevojshëm karshi jetëve tona kaotike. Është fantastike që dy gra që punojnë pikërisht në ambjentet e akullta të industrisë së modës, të flasin shkoqur me mesazhe kundër predikimit të perfektes, aq më shumë me moshën. Sepse të jetosh si parisiane do të thotë të jesh e lumtur me gjithçka që vitet sjellin me vete.
Kini parasysh, rrudhat janë si kujtimet. Mirë është të zhdukësh ndonjë herë pas here, pa harruar kush je në të vërtetë.