M Train
Patti Smith

Fitues i çmimit Grammy për Albumin më të mirë të fjalës së folur, “M Train” është një autobiografi shkruar nga Patti Smith. Znj. Smith, lindur në 1946 në SHBA, konsiderohet një nga personazhet më të rëndësishëm të muzikës amerikane e jo vetëm, kryesisht për shkak të albumit të saj “Horses” (1975) që gërshetonte punk-rock-un me poezinë.

Publikuar: 2015
253 faqe
Përmbledhje

"M Train" nis nga shënimet e autores ndërsa pi kafen e saj të zezë dhe bukën e zezë të thekur me vaj ulliri në kafene e preferuar në Greenwich Village në New York City. Një prozë që rrjedh mes ëndrrës dhe realitetit për botën e saj siç është dhe si ishte, lexuesi transportohet nga Casa Azul e Meksikës, shtëpia e Frida Kahlos, në terrenin e shkelur pak të Islandës, në kasollen e saj, pak para se të shkatërrohej nga Uragani Sandy, në stacionet e metrove mbushur me muzikën e Velvet Underground pak pas vdekjes së Lou Reed, deri tek varret e Genet, Plath, Rimbaud dhe Mishima-s.

Vlerësime

Edhe pse duket sikur pandemia e Covid, në 2019, ka qënë në fakt në një jetë tjetër, ky libër më kujton pikërisht ato kohë izolimi dhe shurdhimi, po njëkohësisht zbulimi të botës dhe vetes në një tjetër dimension. Në javët kur ndalohej edhe të dilje të shëtisje në park, "M Train" e kam dëgjuar duke e parë parkun nga ballkoni, nën rrezet e diellit të marsit. Dhe ishte e mrekullueshme ndjesia që të shkaktonte. Përtej gjithçkaje të tmerrshme që ndodhte në planet, është e mrekullueshme të jesh gjallë.

Patti Smith është një nga emrat më të njohur të rock-and-roll-it në botë, më pak për poezinë dhe prozën e saj. Një personazh eklektik, një copëz të të cilit e zbulojmë duke shfletuar faqet e këtij libri. Energjia e saj edhe kur ishte në të gjashtëdhjetat ishte anarkike dhe e pakrahasueshme.

Smith tregon, pa komplekse se flet me macet e saj po aq sa flet me mbulesën me lule të krevatit, apo pultin e televizorit. Në TV është e fiksuar pas serialeve me dedektivë, për të cilët shpesh shkon në ndonjë hotel për t’i parë e pashqetësuar. Autobiografia e saj ka një tis melankolie, një pranim që ditët e saj më të mira tashmë kanë kaluar.

Ky nuk është libri i saj i parë me kujtime. Në 2010 ajo publikoi "Just Kids" ku tregonte lidhjen e saj me artistin Robert Mapplethorpe me të cilin jetoi dhe punoi në vitet ’70 atëhere kur do të publikonte albumin që e ktheu në një idhull të muzikës amerikane. Njësoj si ky, "M Train" është një letër dashurie, për bashkëshortin e saj të ndjerë Fred "Sonic" Smith. E ulur në tavolinën e saj të zakonshme, në kafenenë saj të zakonshme, Znj. Patti Smith rrëfen për udhëtimet e saj aspak të tilla. Nga një shoqëri e ‘errët’ e quajtur Continental Drift Club, tek fiksimi i saj me varret e njerzve të mëdhenj, si Akira Kurosawa apo Osamu Dazi në Japoni, një fiksim disi i kuptueshëm pasi mëson jetën e saj. Çdo kujtim, çdo veprim  është i njollosur nga mendimi për të shoqin e ndjerë. Në një udhëtim të gjatë me avion, e kap veten duke lotuar e duke menduar:

Kthehu tani, boll larg ke qënë

Ajo e njohu Fred në 1976, dhe pati me të një djalë dhe një vajzë, para se ai të ndahej nga jeta në 1994, në moshë fare të re, 45 vjeç. Për autoren ngjarja është shumë më e afërt nga sa sugjeron koha. Tregimet për të, janë ato që mund të shprehen vetëm për një shpirt binjak.

Edhe pse e privilegjuar, një jetë që shumë e ëndërrojnë, tema[t] që shoqëron jetën e saj është izolimi, mërzia, vetmia. Shoqëruesit e saj të vetëm janë fantazmat e prindërve, e Fredit, Mapplethorpe apo të vëllait Todd, i cili u nda nga jeta pas kohë  mbas bashkëshortit. Përmëndja e munguar e fëmijëve, të cilët sado të rritur e me jetën e tyre, nuk dihet në është vet-censurim apo një mungesë reale si në shumë raste në të përditshmen tonë.

Dua të mund të dëgjoj zërin e sime mëje, të mbaj këmbët e vockla të fëmijëve të mi ndër duar…  por çdo gjë ndryshon. Djali rritet, babi në varr, vajza më e gjatë se unë

E nëse të plakurit, është kaq e vështirë për një yll të Rock-ut, një jashtëtokësore në skenë, çfarë na ngelet në të tjerëve të themi. "M Train" është letërsi artistike po aq sa libër kujtimesh, kultivuar nga pasioni dhe disiplina e një artisteje e cila shfrytëzonte çdo çast për të hedhur në letër çdo përjetim të sajin. Edhe pse në mungesë të një historie konvencionale, narrativa është e kontrolluar mirë dhe e qartë me motive universale nga shëmbuj personalë.

Mbase shumica prej nesh nuk do të kenë kurrë mundësinë të vizitojnë shtëpinë e Frida Kahlos, por është e sigurt që do të ndjejnë të njëjtat ndjenja.

Një pyetje e mundimshme e epokës së rrjeteve sociale është:

Më mirë të qash në biçikletë, apo në një makinë luksi?

Nëse je duke qarë, a ka fort rëndësi?!

Porosit Online