Dritë e zbehtë mbi kodra
Kazuo Ishiguro

“Dritë e zbehtë mbi kodra” është një rrëfim mallëngjyes mbi luftën, vetveten, kujtimet dhe ndjesitë e një gruaje në përballjen me botën e madhe dhe atë më të fshehtën tonën. Kjo vepër e vitit 1982, është romani i parë i shkrimtarit nobelist Kazuo Ishiguro, fitues i çmimit Winifred Holtby, dhënë nga Shoqëria Mbretërore e Letërsisë. Ashtu si me plagët e trupit, edhe me gjërat më tronditëse mund të arrish të krijosh një lloj intimiteti. “Dritë e zbehtë mbi kodra”, është një roman delikat, ironik dhe eliptik, që më shumë sesa rrëfen, lë të nënkuptosh.

Publikuar: 2021
225 faqe
Përmbledhje

Nga mjedisi i qetë dhe i huaj i shtëpisë së saj angleze, Etsuko, një grua japoneze që tashmë jeton vetëm, largon vështrimin nga e tashmja e dhembshme për të kërkuar gjetkë kuptimin dhe arsyen e jetës së saj. E angështuar nga vetëvrasja e vajzës së madhe, ajo kthehet pas me mendje deri në Nagasaki, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, ku në shkretinë e të mbijetuarve, piqej e rritej shtatzënia e saj e trazuar.

Ishte vera e miqësisë së saj të shkurtër dhe enigmatike me Sashikon, fqinjën e saj, dhe koha kur u njoh me të bijën e Sashikos, Marikon, një vogëlushe tejet të traumatizuar. Si një Madam Butterfly, Sashiko pret një dashuri, një nisje që nuk do të mbërrijë kurrë, teksa e bija zhytet në ankthin e kujtimeve tepër të vrazhda. Përvojat jetësore të dy grave rendin paralelisht me njëra-tjetrën dhe shkrihen njësh, pa e kuptuar se ku mbaron njëra dhe ku fillon tjetra, përmes kujtesës, që nuk mund t’i zësh besë, të Etsukos.

Vlerësime

“Dritë e zbehtë mbi kodra” është cilësuar si një roman plot finesë mbi ndrydhjen e emocioneve dhe të ndjenjave, i lidhur ngushtë me rëndësinë e së shkuarës në kuptimin e së tashmes. Duke gërshetuar me mjeshtëri të shkuarën dhe të tashmen, ky roman i parë shpalos një rrëfim dëshpërues dhe trazues, që e mallëngjen lexuesin si për atë çka tregon, edhe për atë çka nuk tregon.

Porosit Online