Plot 110 vjet më parë, Mid’hat Frashëri apo Lumo Skëndo, siç kishte zgjedhur vetë të quhej, fill pas Kongresit të Manastirit, ku ai ishte kryetar, vendosi të botojë revistën “Diturija”. Një nga ato revista, që sot e kësaj dite mbetet një institucion me vlera në kulturën, gjuhën dhe letërsinë shqipe.
faqe
Në 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me atë të Kosovës dhe Fondacionin Alsar, sjellin në dy vëllime botimin anastatik të revistës së “përkohshme shqip literare dhe diturake”, e cila doli në dritë në 1 janar të vitit 1909. “’Diturija’ e Lumo Skëndos shfaq simbiozën e rrallë të nocionit të dijes, diturimit dhe atij universal të atdheut. Ajo e lidh njeriun individual me tërësinë e entitetit kombëtar, përmes të cilit ai shndërrohet në ‘njeriun në botë’, në qenien universale”.
"Revista Diturija, pohuan studiuesit, është një monument i kulturës shqiptare, bashkë me Albaninë e Faik Konicës, Hyllin e Dritës, Zani i Naltë, Leka, Shkëndija, Përpjekja shqiptare, Minerva, ndaj ribotimi i tyre kthen përherë vëmendjen e opinionit publik tek vlerat themelore të kulturës së shkruar shqipe."
"Revista Diturija mbetet shprehja më e plotë e profilit intelektual të Lumo Skendos. Në të ai zhvilloi një korpus të mirëfilltë albanologjik në çështje të historisë, të dëshmive, të gjuhësisë shqipe e drejtshkrimit, të bibliografisë."
“Dituria” na bind që Lumo Skëndo është themelues e strukturues së imazhologjisë ndër shqiptarë. Ndërtimi i imazhit shqiptar pas një leximi të kujdesshëm duket si mision parësor i punës së tij intelektuale, ku “çdo imazh ndërtohet nëpërmjet një ballafaqimi të vazhdueshëm, i cili lëviz nga identiteti tek alteriteti”.