Nga kjo e hënë, 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt 27 vendeve të zonës Schengen të Bashkimit Evropian. Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turistë, por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.
Koha e qëndrimit është e mundur për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Schengen. Për dokumentet e nevojshme, qytetarët duhen të kenë pasaporta biometrike, informata të sakta mbi vendin dhe qëllimit e udhëtimit. Për ata që udhëtojnë me veturë nevojiten edhe dokumentet, përfshirë kartonin e gjelbër. Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë, brenda gjashtë muajsh, në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen. Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.