Bota

Lia e majmunëve emergjencë globale?! OBSH vendos sot!

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vendos sot për të shpallur ose jo linë e majmunëve, emergjencë shëndetësore globale, duke nxitur kritika nga shkencëtarët afrikanë. Ata shprehen se prej vitesh, kjo sëmundje përbën krizë shëndetësore në Afrikë. Diskutimet e shqyrtimi i përgjigjes së OBSH-së ndaj shpërthimit të sëmundjes pasojnë shqetësimet për mënyrën si trajtoi COVID-in në fillim të vitit 2020. Një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar është niveli më i lartë i alarmit të OBSH-së. Agjencia nuk deklaroi pandemi, por filloi të përdorë termin për të përshkruar COVID-19, në mars të 2020-ës.

Për shumë qeveri në mbarë botën, ky ishte çasti kur filluan të ndërmerrnin masa për të frenuar koronavirusin, çka rezultoi të ishte tepër vonë për të bërë ndryshime. Lia e majmunëve nuk përhapet aq shpejt sa COVID-i dhe për këtë sëmundje ekzistojnë vaksina e medikamente, por sërish ka rritur alarmin në mbarë botën. Jashtë kontinentit afrikan, numërohen 3 mijë raste, në mbi 40 vende, më së shumti mes meshkujve homoseksualë. Nuk ka raportime për raste vdekjeje.

Sëmundja virale që shkakton simptoma të ngjashme me gripin e acarim të lëkurës, përkufizohet si endemi në disa pjesë të Afrikës. Kontinenti ka regjistruar rreth 1 mijë e 500 raste të dyshuara që nga fillimi i vitit. 66 prej tyre rezultuan me pasojë vdekjen.

Ekspertë nga vendet e Afrikës thonë se “kur një sëmundje prek vendet e pazhvilluara nuk është emergjencë, por shndërrohet në të tillë vetëm kur preken vendet e zhvilluara”. Pavarësisht kësaj, vlerësojnë se “nëse OBSH-ja shpall gjendje emergjence, ky do të ishte hap i rëndësishëm”.

Komiteti i Emergjencave Globale mblidhet sot në Gjenevë, për të diskutuar mbi hapat që do të ndërmerren për të kufizuar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Në panel bëjnë pjesë ekspertë nga rajonet më të prekura, të cilët janë konsultuar edhe me shkencëtarë afrikanë. Ata do t’i dërgojnë një rekomandim Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili merr vendimin përfundimtar lidhur me gjendjen e emergjencës.

OBSH-ja ka dhënë udhëzime të detajuara për sëmundjen e po punon për një mekanizëm për shpërndarjen e trajtimeve e vaksinave.
Shumica e ekspertëve pajtohen se lia e majmunëve i plotëson teknikisht kriteret për përkufizimin nga OBSH-ja si “emergjencë botërore”.

Eshtë një ngjarje e papritur dhe e pazakontë, që po përhapet ndërkombëtarisht e kërkon bashkëpunim mes vendeve.