Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të djeshme në Malin e Zi, fiton Lëvizja Europa Tani, PES ndërsa DPS-ja del e dyta. Në votimet e parakohshme parlamentare të një dite më parë, Lëvizja Europa Tani siguroi 25.5% të votave apo 23 mandate, referuar të dhënave të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CEMI).
Partia pro-europiane Demokratike e Socialistëve (DPS), që drejtoi Malin e Zi mes viteve 1990-2020, mori 23.8% apo 22 mandate. Aleanca konservatore për të Ardhmen e Malit të Zi, e udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb dhe pro-rus e mbylli garën zgjedhore me 14.7% të votave ose ndryshe 13 mandate. Sondazhet para votimeve ishin të përafërta me rezultatet paraprake.
Sipas CEMI-t, një koalicion tjetër pro-BE-së e që përfshin Partinë Demokratike dhe Lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviç doli në vendin e katërt, me 12.3% të votave, 11 mandate.
Në të parin fjalim paszgjedhor, Millojko Spajiç, lider i listës së Lëvizjes Europa Tani deklaroi se ishte një fitore e madhe për PES-in, që nga një forcë joparlamentare arriti të shndërrohej në partinë më të madhe në Mal të Zi, në më pak se një vit. Ai theksoi se nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe as me Lëvizjen Qytetare Ura të Dritan Abazoviçit.
Ne presim që qeveria e Malit të Zi të formohet sa më shpejt dhe do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlera si tonat. Ne do të formojmë një qeveri të re që do të jetë pro-europiane.
Për 81 vendet e Parlamentit të Malit të Zi, dje garuan 15 parti e koalicione. Të drejtë vote kishin 542 mijë e 468 qytetarë.
Sipas të dhënave të para, në këto zgjedhje votuan rreth 56% e personave me të drejtë vote. Referuar Qendrës për Tranzicion Demokratik në Mal të Zi, kjo shifër paraqet një rënie të numrit të votuesve me 20%, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020.