Bota

Letoni/ Droni rus rrëzohet në territorin e NATO-s!

Bukureshti dënoi ashpër “shkeljen e re” të shkaktuar nga “sulmet ilegale” të Moskës

Presidenti i Letonisë tha sot se një dron ushtarak rus ishte rrëzuar në territorin e vendit të tij dhe se shkeljet e territorit të NATO-s po rriteshin përgjatë kufirit të saj lindor.

Vendi baltik, i cili më parë ishte nën sundimin sovjetik, por tani është anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka mbajtur marrëdhënie të tensionuara me Moskën që nga pavarësia, e cila u përkeqësua më tej pasi Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.

“Droni ushtarak rus u rrëzua dje në Letoninë lindore. Një hetim është duke u zhvilluar,” shkroi Presidenti Edgars Rinkevic në Platformën X.  “Ne jemi në kontakt të ngushtë me aleatët tanë. Numri i incidenteve të kësaj natyre po rritet përgjatë krahut lindor të NATO-s dhe ne duhet ta trajtojmë atë kolektivisht”, shtoi ai.

Ministri i Mbrojtjes Andris Spruds tha në një deklaratë se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore të Letonisë nga Bjellorusia dhe u rrëzua në komunën e Rezeknes.

“Kjo situatë konfirmon se ne duhet të vazhdojmë punën që kemi filluar për të forcuar kufirin lindor të Letonisë, kryesisht duke zhvilluar aftësitë e mbrojtjes ajrore dhe të luftës elektronike për të kufizuar aktivitetet e dronëve,” tha ministri letonez. Vendi anëtar i NATO-s, Rumania tha gjithashtu sot se një dron rus që synonte infrastrukturën civile në Ukrainë hyri në hapësirën ajrore të saj gjatë natës.

Bukureshti dënoi pa mëdyshje “shkeljen e re” të shkaktuar nga “sulmet ilegale” të Moskës.  “Sot, dronët rusë dhunuan hapësirën ajrore të Rumanisë dhe Letonisë. Kjo është një kujtesë e ashpër se veprimet agresive të Rusisë shtrihen përtej Ukrainës”, shkroi ministri i jashtëm ukrainas në Platformën X, duke mbrojtur mundësinë e “përdorimit të mbrojtjes ajrore të partnerëve të NATO-s për të kapur raketat ruse dhe avionët dronë mbi Ukrainë”.

Polonia ka regjistruar gjithashtu të paktën dy raste të shkeljes së hapësirës së saj ajrore nga raketat ruse ose dronët që sulmojnë Ukrainën, së fundmi në dhjetor.  Në një intervistë me gazetën Financial Times të botuar javën e kaluar, Ministri i Jashtëm polak Radoslau Sikorski tha se Varshava duhet të ketë të drejtën të rrëzojë raketat ruse që synojnë Ukrainën përpara se të hyjnë në hapësirën ajrore polake, pavarësisht kundërshtimit nga NATO.