Lenny Kravitz është artisti që do të performojë me një koncert në finalen e UEFA Champions League. Ylli i rrokut do të ngjitet në skenë dhe do të këndojë për herë të parë këngët e tij të reja nga albumi ‘Blue Electric Light’. Me anë të një deklarate Lenny tha se:
Ndihem shumë energjik përpara paraqitjes sime në finalen e UEFA Champions League në Londër, një qytet që mban një vend të veçantë në zemrën time. Do të jetë një ngjarje kaq emocionuese para një finale që do të thotë kaq shumë për mua. Është një rast i përsosur për t’u mbledhur të gjithë së bashku dhe për të shijuar pak muzikë dhe ndjenjën e miqësisë së bashku. Mezi presim t’ju tregojmë se çfarë kemi rezervuar.
Në karrierën e tij prej tre dekadash, katër herë fituesi i GRAMMY ka publikuar 11 albume, duke regjistruar shitje që kanë tejkaluar 40 milionë kopje në mbarë botën. Së fundmi ai mori çmimin ‘Music Icon Award’ në People’s Choice Awards dhe u nderua me yllin e tij në Hollywood Walk of Fame.
Albumi i tij i ri, “Blue Electric Light”, përmban 12 këngë që ai shkroi dhe regjistroi me bashkëpunëtorin dhe kitaristin e vjetër Craig Ross, duke luajtur shumicën e instrumenteve vetë në studion e tij në Bahamas. “Finalja e Ligës së Kampionëve do të shfaqë një legjendë të industrisë muzikore, e cila do të sjellë dinamizëm dhe energji në spektakël”-tha ndër të tjera drejtori i marketingut të UEFA-s, Guy-Laurent Epstein. Finalja e shumëpritur mes Dortmundit dhe Real Madridit do të zhvillohet të shtunën më 1 qershor në stadiumin ikonik Wembley të Londrës.