Aktualitet Politikë

Lëndë helmuese në Kuvend dhe kundërshtim i policisë, 7 deputetë referohen në SPAK!

Policia e Tiranës ka referuar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) 7 deputetë të opozitës, të cilët shkaktuan kaos dhe dhunë brenda dhe jashtë Kuvendit ditën e djeshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi sot se në lidhje me tubimin e zhvilluar ditën e djeshme, në vijim të veprimeve hetimore të kryera ka referuar materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në gjendje të lirë për shtetasit Elda Hoti, 32 vjeçe, për veprën penale “Kanosja” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”.

Gjithashtu policia ka referuar në SPAK deputetët Flamur Noka, 53 vjeç, Bledjon Nallbati, 38 vjeç, Gazment Bardhi, 39 vjeç, Dashnor Sula, 55 vjeç, Luan Baçi, 61 vjeç, dhe Saimir Korreshi, 43 vjeç, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Policia bëri të ditur se, ditën e djeshme, në ambientet e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, shtetasja E.H., ka hedhur në drejtim të deputetëve një lëndë të lëngshme të paidentifikuar, ndërsa në hyrje të godinës së Kuvendit të Shqipërisë, shtetasit Flamur Noka, Bledjon Nallbati, Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Luan Baçi, dhe Saimir Korreshi, kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë të planëzuar me shërbim.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha hodhi poshtë pretendimet e opozitës se efektivë të policisë ishin të armatosur gjatë përplasjeve me deputetët para mjediseve të Kuvendit, një ditë më parë. Në një deklaratë për mediat, Hoxha tha se forcat e policisë nuk kanë patur dhe nuk kanë qenë të pajisura me armë zjarri.

Keqardhje për deputetët e opozitës, që ushtruan dhunë ndaj punonjësve të policisë dhe Gardës, që ishin atje për të kryer detyrën. E drejta e tubimit do të garantohet nga ana e punonjësve të policisë. Ndërsa e drejta e dhunës, djegies, shkatërrimit, dhunës, nuk do të tolerohet.

Në deklaratën e Policisë së Shtetit të dhënë dje rreth mesditës është shprehur qartë se nuk ka patur asnjë tentativë të nxjerrjes së armës nga punonjësit e policisë. Në ligjin për tubimet, shprehimisht janë caktuar rastet e përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e Policisë së Tiranës nuk kanë patur dhe nuk kanë qenë të pajisura me armë zjarri.

Sulmi i deputetëve ndaj Policisë dhe Gardës së Republikës, në prag të marrjes së ditës së negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë ne Bashkimin Europian, nuk është i pranueshëm sepse forcat e Policisë dhe Garda e Republikës janë aty për të mbrojtur institucionet kushtetuese. Forcat e Policisë së Shtetit që ishin të planizuara nga DVP Tiranë për mbrojtjen e institucioneve ishin atje për të kryer detyrën.