Monedha vendase leku, vijoi të karakterizohet nga presione forcuese ndaj valutave edhe gjatë tremujorit të tretë, të këtij viti. Banka e Shqipërisë bën të ditur se mbiçmimi u rishfaq prej muajit gusht, ndonëse jo me të njëjtën shpejtësi si në fillim të tremujorit të dytë të vitit 2024.
Kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros zbriti gradualisht në 100.0 në gusht, e më tej në 99.4 në shtator, pas qëndrueshmërisë në një mesatare prej 100.4 të vërejtur në periudhën maj-korrik. Sipas Bankës Qendrore, kjo tendencë ka vijuar edhe gjatë javëve të para të muajit tetor, kur një euro u kuotua mesatarisht 98.7 lekë. Ndërkohë, pasi shënoi nivelin më të ulët prej 2.8% në muajin korrik, mbiçmimi vjetor u thellua në tre muajt pasues, duke shënuar vlerën mesatare prej 6.4%.
Por ky nivel, siç edhe bën të ditur Banka Qendrore, gjithsesi është nën normën mesatare të mbiçmimit prej 9.3% të vërejtur gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Ndërkohë, tregu valutor vijon që të karakterizohet nga rritje e vëllimeve, në linjë me zhvillimet në tregtinë e jashtme, si dhe nga kushte normale të tregtimit.
Rritja vjetore e vëllimeve të tregtimit rezultoi 21.0% në tremujorin e tretë, duke mbetur në nivele dyshifrore, si edhe në gjysmën e parë të vitit. Në të njëjtën kohë, luhatshmëria dhe spread-et mes kuotimit në shitje e atij në blerje për Euron kanë rezultuar brenda intervalit normal të tyre, vë në dukje Banka e Shqipërisë.
Sipas BSH-së, ecuri të ngjashme të Lekut me Euron ka regjistruar edhe Dollari amerikan në tremujorin e tretë, duke reflektuar njëkohësisht edhe nënçmimin e tij kundrejt Euros në tregun ndërkombëtar.
Kursi usd/lek zbriti në 89.4 në muajin shtator, nga 93.2 që ishte në fund të tremujorit të dytë të vitit. Ndërkaq, në javët e para të muajit të kaluar, kursi usd/lek, mesatarisht shënoi 90.4, ose 9.7% më poshtë se në tetor të vitit të kaluar.