Aktualitet

Legalizimet, Rama i kërkon bashkive përfshirjen në proces me Kadastrën!

Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkitë do të përfshihen në procesin e legalizimeve. Sot në një takim me kryebashkiakë për përshpejtimin dhe monitorimin e procesit të legalizimit, si prioritet i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, Rama u shpreh:

Përfshirja e bashkive ka një dobi të posaçme se jo vetëm do të shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit, por do të shërbejë dhe për të bërë monitorimin e punës në Kadastër, që në sektorin e legalizimeve lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar.

Janë bashkitë që do të vendosin prioritetet. Pra, procesi do të udhëhiqet prej jush, me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator kur ky proces të fillojë edhe si rezultat i ndihmës që AKSHI po i jep ASHK-së, për të pasur një platformë pune dixhitale e nëpërmjet këtij sistemi edhe për të krijuar një mekanizëm transparence, si llogaridhënieje mes palëve.

Në radhë të parë, për banesat e qytetarëve të këtij vendi duhet të bëjmë gjithçka që procesi të përshpejtohet dhe mbi të gjitha që të vendoset një rend shumë i qartë i kohës së kërkesave. Kjo është A-ja. Eshtë e padrejtë dhe e papërtypshme që disa presin prej vitesh, disa të tjerë e marrin legalizimin edhe pse janë aplikues të mëvonshëm. Ju keni detyrën të vendosni radhë dhe e para është legalizimi i banesave.

Po për legalizimet, Rama bëri batuta me Pjerin Ndreun, kreun e Bashkisë Lezhë:

Rama: Kam një fjalë për ty Elton. Ishe kampioni i Rindërtimit. E bëre Shijakun avangardën në rindërtim e duhet të bëhesh kampion i legalizimeve. Dakord? Sepse kur i thosha Pjerinit, merr shembullin nga Shijaku për rindërtimin thoshte është punë e vogël. Shembullin tënd t’ia tregoj Pjerin Ndreut e t’i them, ja si bëhen legalizimet, se nuk do të rrimë vetëm duke të lavdëruar ty policia. Mirë?

Ndreu: Njolla e policit më ka ndjekur. E kam për nder.

Rama: Të mos ishe polic, nuk do të ishe kryetar bashkie. Ja e sheh, bën polemikë. Ai merak do dalë me shpirtin.

Ndreu: Kur doni me sha njeri, thoni je ba si polic.

Rama: Pse përhap lajme të rremë? Nuk e them, këtë shaka e bëre si polic.

Ndreu: Mund ta bëjmë më mirë procesin e legalizimit. Kemi rol honorifik.

Rama: Nuk je i qartë dhe nuk je sepse dole këtu se të doli emri si polic, nuk je i përgatitur. Eshtë bashkia që do të udhëheqë procesin. Kadastra merr emrat e bashkisë dhe bën regjistrimin. Çfarë nuk pasqyrohet, shkoni te ministri! Nëse e lëmë vetëm në një dorë do të kemi probleme.

Ndreu: Prapë kam mendim ndryshe.

Rama: Me këtë konkluzion të policisë, ju falënderoj dhe punë të mbarë!