I ftuar sot në puntatën e fundit të emisionit Ndryshe ishte drejtori i Top Albania Radio, Ledion Liço i cili njëkohësisht është edhe producenti i filmit Në Kuadër të Dashurisë. Ai na dha më shumë detaje rreth atmosferës dhe organizimit të koncertit madhështor të Elvana Gjatës në stadiumin Air Albania.
Çfarë është Top Albania Radio për ty?
Top Albania Radio për mua është gjithçka. Edhe puna që kam bërë këto 3 vitet e fundit sepse këtu gjej një rehati që nuk e gjej askund tjetër. Është një rehati dhe një energji që njeriu me kalimin e viteve e kupton sa me vlerë janë ca gjëra.
Sa rol ka pasur Top Albania Radio dhe Top Channel tek suksesi i madh i Elvana Gjatës?
Në rastin e Elvana Gjatës gjërat u bënë bashkë. Ka qenë zgjuarsia e saj që në fillim që të përdorte fuqinë e vet bashkë me fuqinë e një institucioni siç është Top Channel. Mendoj pikërisht për këtë Top Channel ka kryer një punë të madhe dhe ka bërë misionin e vet ashtu si çdo herë.
A do të transmetohet në Top Channel?
Do të transmetohet në fillim të sezonit të ri në vjeshtë.
Sa lëviz me koncertin e Elvanës?
Në organizim lëviz pak. Është e pamundur që një koncert i bërë në kushte Shqipërie, të krahasohet me një koncert të bërë në kushte qoftë edhe të Italisë.
Po ta krahasosh me koncertet e Beyonce?
Me Beyonce është e pamundur. E para Beyonce ka një tur i cili kushton 150 milionë dollarë, tek i cili punojnë 150 vetë për diku tek 2 vite vetëm për atë koncert. Ndërsa koncerti i Elvanës është bërë për pak muaj, nga njerëz të cilët fatkeqësisht kanë edhe shumë gjëra të tjera për të bërë. Duke faktorizuar të gjitha këto gjëra unë e quaj suksesin më të madh të atij lloj formati në Shqipëri deri më tani.
Sa veta kishte te konceri i Elvana Gjatës?
Mendoj tek 20000 njerëz kanë qenë e sigurt.
Kush e di sa me fitim ka dalë…
Nuk ka fituar asnjë lekë të paktën me llogaritë që kam bërë unë, as me lekët e veta nuk ka dalë. Ka futur nga xhepi.
Po Top Channel ‘fitoi ndonjë lek’?
Ne si Top Channel punuam për të krijuar një standard te ri. Gjithmonë kur vjen puna për të krijuar standarde ne jemi të parët dhe ju tregojmë të tjerëve se si bëhet.
Mendoj që është e vetmja Elvana që e mbush stadiumin?
Jo nuk e mendoj. Mendoj se Alban Skënderaj ka shitur 3 ose 4 netë të njëpasnjëshme në Pallatin e Kongreseve, që natyrisht në përmasa nuk është e njëjta gjë, por unë mendoj që po të kishte një sallë më të madhe do e mbushte. Po ashtu ka edhe shumë artistë të tjerë në Kosovë që mund të bëjnë të njëjtën gjë.