Pronari i rrjetit social Twitter, Elon Musk po mendon të ndryshojë logon e platformës dhe paralajmëroi:
Së shpejti do t’i themi lamtumirë markës Twitter e gradualisht, të gjithë zogjve!
Në një postim në Twitter, në orët e para të ditës së sotme, miliarderi theksoi:
Nëse një logo mjaftueshëm e mirë me X publikohet sonte, ne që nesër do ta përdorim në mbarë botën.
I pyetur nëse logoja e Twitter-it do të ndryshojë, përgjigjja ishte pohuese, madje sipas tij duhej të ishte bërë me kohë.
Kjo është dashur të ndodhë shumë kohë më parë.
Nën drejtimin e trazuar të Musk-ut që kur e bleu Twitter-in, tetorin e vitit të kaluar, kompania e ka ndryshuar emrin e biznesit në X Corp, duke pasqyruar vizionin e miliarderit për të krijuar një “super aplikacion”, si WeChat i Kinës.
Aktualisht, në faqen e Twitter-it thuhet se logoja e rrjetit që paraqet një zog në ngjyrë bojëqiellii, “është pasuria jonë më e njohur”.
Prandaj e mbrojmë aq fort.
Në muajin prill, zogu u zëvendësua përkohësisht nga qeni Shiba Inu i kriptovalutës Dogecoin, duke nxitur rritjen e vlerës së saj në treg.
Kompania është përballur me kritika të gjera nga përdoruesit dhe nga profesionistët e marketingut, kur në fillim të këtij muaji, Musk njoftoi se Twitter-i do të kufizonte numrin e “cicërimave” që mund të lexohen çdo ditë nga përdoruesit.
Kufizimet ndihmuan në rritjen e rrjetit rival, Threads, në pronësi të Meta Platforms dhe që regjistroi 100 milion përdorues brenda pesë ditëve, pas lançimit për përdorim të gjerë.
Telashi më i fundit i Twitter-it ishte një padi e paraqitur të martën, që pretendon se kompania u ka borxh të paktën 500 milion dollarë ish-punonjësve të saj, pas largimit të tyre nga puna. Që kur Musk bleu Twitter-in, kompania ka larguar nga puna pothuajse gjysmën e punonjësve, për të reduktuar kostot.