Food & Drink Gossip

Lamtumirë pijes së mbrëmjes, nuk ka më Martini për Mbretëreshën Elizabetë!

Nga disa është konsideruar si “sekreti” i jetëgjatësisë së monarkes, por tani, Mbretëreshës Elizabeta e Dytë i është hequr pija e mbrëmjes. Burime të mirëinformuara kanë përhapur lajmin se 95-vjeçares i ndalohet nga mjekët konsumi i një gote Martini Dry, që e merrte pas çajit të orës 17:00. Këtë e bën të ditur britanikja “Daily Mail”, referuar burimeve të afërta me Familjen Mbretërore. Një këshillë mjekësore që vjen para festimeve të 70-vjetorit të mbretërimit, të planifikuara për në qershorin e ardhshëm, por edhe pas fotove ku Mbretëresha shfaqej me shkop.

Ndonëse prej kohësh, gazetat shkruajnë për “dietën alkoolike” të Mbretëreshës, të përbërë nga 4 pije në ditë (mesatarisht), një mike e familjes thotë se “nuk do të ishte ndonjë problem i madh, pasi nuk është se shquhet si person i dhënë pas pijeve”. Por, në këtë moshë tingëllon e padrejtë që i duhet të heqë dorë nga një prej kënaqësive të vogla.

Të njëjtat burime thonë se krahas pijes së mbrëmjes, mjekët i kanë thënë “stop” monarkes Elizabetë edhe për verën e shampanjën.
Jo më larg se një vit më parë, Pallati Mbretëror, hodhi në treg xhinin me markën “Windsor”. Për më shumë, pasioni për ndonjë gotë ndahet në të gjithë familjen. Nëna Mbretëreshë, mamaja e Elizabetës, e cila ndërroi jetë në moshën 101-vjeçe, nuk hiqte dorë nga një gotë Martini që e konsumonte çdo pasdite.