Sociale

Lamtumirë Euro 2024, kuqezinjtë rikthehen në Tiranë!

Kombëtarja shqiptare është rikthyer në Tiranë pas përfundimit të rrugëtimit në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Kuqezinjtë u nisën mesditën e sotme nga aeroporti i Dyseldorfit për të mbërritur rreth orës 15:30 në Rinas.

Së bashku me delegacionin shqiptar kanë udhëtuar edhe disa lojtarë drejt Tiranës ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve janë rikthyer në shtëpitë e tyre.

Rrugëtimi dinjitoz i Shqipërisë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” u mbyll mbrëmjen e djeshme në “Dusseldorf Arena” pas disfatës në ndeshjen e fundit të grupit B ndaj Spanjës.

Kuqezinjtë u përballën denjësisht me kundërshtarë të nivelit të lartë si Italia, Kroacia e Spanja dhe luftuan deri në fund për t’u kualifikuar në raundin e 1/16-ave të Kampionatit Europian.