I vendosur si trend, shoqëruar edhe me rritjen mbi 50% të shitjeve nga periudha e pandemisë, është rikthimi i takave, një dëshirë apo nevojë e vajzave për të qenë më elegante mbi to. Në Europë kjo veshje nuk iku kurrë nga moda, por Amerika, për shkak edhe të ritmit të ditës, në lëvizje të gjata, dukej sikur ishte shkëputur nga kjo lloj elegance por si për gjithçka, edhe për takat, duket se po rikthehet koha dhe moda.
A po rikthehen takat si ‘miket’ më të mira të vajzave? Edhe kur i mbajmë veshur, siç ndodh me vajzat e gratë në Nju Jork, ulen diku për të shplodhur këmbët. Kohët e fundit, duket sikur vajzat po i rikthehen dashurisë për takat, dikush për të rënë në sy, e dikush tjetër për t’u ndjerë më elegante, në zyrë, punë, në rrugë apo edhe në një klube nate. Dashuria për takat e larta duket edhe nga shitjet në dyqane. Kështu ka ndodhur edhe në Bloomingdale’s në Nju Jork.
Sot vajzat janë të emocionuara të shkojnë në zyrë apo në një event me taka. Ndaj takat janë padyshim në krye të listës së shitjeve. Sipas grupit të studimit NPD, nëse një vit më parë, takat e larta i linim për një rast të veçantë, një event apo një darkë, tashmë po rikthehen në përditshmëri. Trendi vihet re prej pranverës, edhe pse prej 2019, moda e ditës ishte atletja, e kombinuar në veshje sportive, por edhe ato elegantet. Nëse në pandemi, kërkuam komoditetin e këpucëve praktike, tashmë vërehet qartë dëshira, apo nevoja për taka të larta, madje shumë të larta.