Lamine Yamal është padyshim ylli i këtij Europiani, me sulmuesin 16-vjeçar spanjoll që po shkëlqen për skuadrën e De La Fuentes, teksa tashmë është vetëm një fitore larg titullit. Disa ditë më parë, u bë virale dhe një foto ku Yamal ishte ende një bebe dhe pagëzohej nga Leo Messi, me mediat dhe tifozët që e cilësuan si një bekim nga ylli argjentinas për sulmuesin spanjoll.
Gjithsesi, babai i Lamine, Mounir duket se mendon ndryshe, duke thënë se në të vërtet, ai që u bekua ishte Messi. babai i Yamal u shpreh:
Rastësitë ndodhin në jetë. Leo bekoi Lamine? Për mua, Lamine e bekoi Leon. Unë dua të mendoj se djali im është më i miri në botë. Lamine është një rast i veçantë. Ai është rritur më shpejt se të tjerët dhe kjo ka ndodhur falë Spanjës, La Masias, dhe miqve të tij.
Lamine Yamal u bë lojtari më i ri që shënon në një kompeticion Europian ose Botëror, me 16-vjeçarin që realizoi një supergol përballë Francës në gjysmëfinalen e Europianit “Gjermani 2024”. Falë golit, por edhe performancës së tij fantastike në fushë, sulmuesi u shpall kështu edhe “Lojtari i Ndeshjes”. Spanjolli Lamine Yamal, në moshën 15 vjeç, 9 muaj e 16 ditë, u bë debutuesi më i ri në historinë Blaugrana.
Pas takimit, Yamal tha se gjëja më e rëndësishme ishte arritja në finale dhe se tani do të synojë të fitojë trofeun. 16 vjeçari tha:
Gjëja më e rëndësishme është finalja dhe tani synojmë titullin. Ishte një ndeshje e vështirë, u përpoqa të synoja golin, e arrita dhe më pas çdo gjë shkoi mirë. Shkoi mirë dhe tani synimi im është të sjell trofeun në shtëpi.