Aktualitet Politikë

LAJMI I FUNDIT/ Me 75 vota pro, miratohet në parim buxheti për vitin 2025!

Pas një seance maratonë që ka zgjatur për dy ditë me radhë, Kuvendi ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2025.

Me 75 vota pro, 40 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i ka dhënë dritën jeshile “Buxhetit 2025”.

Seanca është shoqëruar me debate të shumta mes mazhorancës dhe opozitës pasi kjo e fundit e ka konsideruar mashtrues kreun e qeverisë që deklaroi se buxheti i vitit 2025 ishte trefish më i madh se në vitin 2013.

Të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 3300 Euro, sot janë 10 300, pra trefish. I gjithë fondi në dispozicion të shtetit ishte 3.2 miliard Euro. Në buxhetin 2025 është 8.2 miliard Euro, pra trefish gati. Asnjëherë askush tjetër nuk e ka rritur buxhetin e shtetit në njësinë e kohës më shumë se sa gjysma e kësaj rritje dhe kjo për tu treguar zemërgjerë sepse përgjithësisht ka qenë shumë më pak”, tha kryeministri Edi Rama gjatë seancës maratonë. Ky është një buxhet për oligarkët, klientët e qeverisë dhe për të pasurit, por jo për njerëzit, ata që mezi ja dalin në muaj. Për 12 vite secili prej jush e ka parë se sa vjen dhe po blen më pak, ka më pak për të ndarë për familjen, tha Gazment Bardhi gjatë seancës maratonë.

Bardhi tha se në 12 vite të qeverisjes socialiste pensionet janë gati 8% më të ulëta ndërsa bonusi i fundvitit po përdoret për zgjedhjet parlamentare. Sipas tij Rama ka parashikuar zero lekë në buxhet për rritjen e pensioneve.

Ndërkohë, kryefinancieri Malaj tha se fondet që parashikohen për Mbrojtjen Sociale në buxhetin e vitit 2025, përfshijnë një skemë të gjerë përfitimi.