Bota

Lajme nga bota/Shpërthime municionesh në Turqi e sulm terrorist në Somali, 11 viktima!

Një shpërthim në një fabrikë municionesh në Ankara të Turqisë shkaktoi pesë viktima. Sipas Ministrisë turke të Mbrojtjes, ngjarja ndodhi rreth orës 08:45 minuta të mëngjesit, në kompleksin e Korporatës shtetërore të Industrisë Mekanike dhe Kimike, në periferi të kryeqytetit Ankara.

Autoritetet thanë se kanë nisur një hetim për shkakun e shpërthimit. Raportohet se në zonë u dërguan disa autoambulanca, si dhe zjarrfikësit që punuan për lokalizimin e shuarjen e flakëve. Në pjesët përreth, xhamat e disa dyqaneve dhe shtëpive u thyen nga forca e shpërthimit.

Në një tjetër zhvillim nga bota, në Somali gjashtë persona humbën jetën nga një sulm terrorist në një hotel luksi në zonën e plazhit, në kryeqytetin Mogadishu. Përgjegjësinë për atentatin e mori grupi Al Shabaab. Mes viktimave, mësohet se janë edhe dy fëmijë.

Agjencia zyrtare somaleze e shtypit, Sonna raporton për të paktën 53 persona të plagosur. Dëshmitarë në terren folën për hyrjen në strukturë të disa njerëzve të armatosur që hapën zjarr. U dëgjuan të shtëna me armë, si dhe zhurma shpërthimesh.

Forcat e sigurisë ndërhynë duke goditur militantët që ndërmorën një sulm terrorist vdekjeprurës kundër hotelit. Shumë civilë arritën të shpëtonin dhe u vendosën në vende të sigurta.

Al-Shabaab mori përsipër atentatin dhe deklaroi se zgjodhën sulmin atje pasi hoteli frekuentohet nga zyrtarë somalezë, duke lënë të kuptohet se këta të fundit ishin në shënjestër.