Rajoni

Lajçak në Prishtinë: Serbia tërhoqi letrën e Bërnabiçit për Marrëveshjen e Ohrit!

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak bën të ditur se Serbia tërhoqi letrën dërguar Bllokut, me rezerva lidhur me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Dhjetorin e kaluar, kryeministrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiç, i dërgoi Bashkimit Europian një letër ku Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, si dhe Aneksin për zbatim, të dakordësuar në Ohër.

Në atë letër, ndër të tjera thuhej se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes “de facto” dhe “de jure” të Kosovës.

Pas takimit në Prishtinë me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja ende është e vlefshme. Më tej, vuri në dukje se kohë pas kohe, ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshjes.

Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme dhe po punojmë për zbatimin e saj. Asnjë palë nuk është tërhequr nga ky akord e po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin.

Marrëveshja me 11 nene, ndër të tjera përfshin një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje reciproke të simboleve shtetërore ndërsa nga Prishtina dhe Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha dakordësitë e arritura më parë gjatë dialogut mes palëve.

Në takimin në Prishtinë me Bislimin, i cili është dhe kryenegociator i Kosovës, zyrtari europian Lajçak u shpreh se është arritur pajtim për një raund të ri të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por nuk dha ndonjë datë për mbajtjen e këtij takimi.

Lajçak bëri të ditur se me Bislimin diskutoi për një sërë çështjesh, përfshirë hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve.

Po ashtu, ne diskutuam për Urën e Mitrovicës dhe hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve. Besoj se qëndrimi i Bashkimit Europian është i njohur, por do ta përsëris. Ura duhet të hapet, por hapja e saj duhet të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës dhe ne diskutuam për detajet.

Ura mbi Ibër ndan Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe nga ajo e Jugut ku janë shqiptarët që përbëjnë shumicën.