Rajoni

Lajçak: Çmoj rekomandimet e Osmanit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit!

I dërguari i posaçëm europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se i vlerëson mendimet dhe rekomandimet e presidentes Vjosa Osmani për mënyrën si palët duhet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Lajçak u takua me Osmanin në Nju Jork, për të diskutuar mbi gjendjen e tanishme në dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Por, nuk shpjegoi se cilat ishin mendimet apo rekomandimet e Osmanit për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Si Osmani ashtu edhe Lajçak qëndruan në SHBA këtë javë, ku liderët botërorë u mblodhën për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Emisari europian u takua dhe me kryeministrin Albin Kurti në Nju Jork. Me të dhe me ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, diskutuan për dialogun. Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në Bruksel për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe pastaj Aneksin mbi zbatimin e saj në Ohër, në fillim të vitit 2023.

Akordi ka mbetur i pazbatuar prej atëherë edhe pse Bashkimi Europian thotë se është detyrim për të dyja palët. Kosova ngul këmbë që fillimisht, të nënshkruhet edhe pse BE-ja thekson se është e detyrueshme pavarësisht firmosjes ndërsa Serbia ka shprehur rezerva për zbatimin e plotë të saj.

Marrëveshja e përbërë nga 11 nene, ndër të tjera parashikon nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje reciproke të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe kërkon nga Prishtina e Beogradi që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011. Ky proces mbështetet fuqishëm edhe nga SHBA-të. Amerika iu ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë që të marrin seriozisht dialogun për normalizimin e raporteve.

Raundet e dialogut, kohët e fundit në nivel të kryenegociatorëve, nuk kanë dhënë rezultate konkrete teksa në atë më të fundit, më 17 shtator, kryenegociatorët nuk zhvilluan takim trepalësh për shkak të mospajtimeve që kishin për temat e diskutimit.

Ndërkaq, raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç u mbajt shtatorin e vitit të kaluar.