Aktualitet

Laboratori i kokainës në Fushë Krujë, sot jepen masat e sigurisë!

Sot zhvillohet seanca gjyqësore ndaj 10 të arrestuarve fundjavën e kaluar, në një operacion antidrogë që çoi në zbulimin e një laboratori kokaine në Qerekë të Fushë-Krujës.  Ngarkesa e ndarë në dy rrugë vinte nga Amerika Latine dhe kishte destinacion Shqipërinë e vendet e Bashkimit Europian.

SPAK-u informoi se lënda narkotike tretej në lëkurë të bagëtive dhe me veçimin e kokainës merreshin dy kimistë venezuelianë e një kolumbian, që janë në mesin e të arrestuarve.  Se sa është ngarkesa e kokainës, kjo pritet të llogaritet nga ekspertët e hetimit. Në hetimin penal, bashkë me SPAK-un u përfshinë edhe agjencitë e huaja, mes tyre DEA amerikane.

Hetimi i narkotrafikut u kryesua nga prokurori Adnan Xholi. Zyrtarisht thuhet se u bllokuan edhe gati 6 kilogramë kokainë e përzierës që do të shërbenin për procesin. Grupi me financues e me role të qarta në trafik përbëhej nga Geis Fejzullai, Klajd Birçe, Albi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurramani e Baki Huqi.

Ata hapën një kompani për futjen e lëkurëve të gjedhëve, duke e regjistruar në emër të një shtetasi që nuk rezulton i përfshirë në trafikun e drogës e përmes saj futën ngarkesat, të cilat u shpërndanë në dy pika, njëra prej tyre, pak kilometra larg Tiranës.

Bashkëpunimin me tre shtetasit e huaj që do të kryenin nxjerrjen e kokainës, Prokuroria e Posaçme e cilësoi të një niveli të lartë organizimi e që do të realizohej me një teknologji të avancuar. Ndërkohë që vendosja e laboratorëve në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” e Portit të Durrësit, u krye me qëllim transportin e shpejtë të kokainës.

Mes provave të sekuestruara numërohen edhe 57 milion peso kolumbianë (mbi 12 mijë euro) e 36 mijë euro. SPAK-u e ka të qartë se rolet e të dyshuarve ishin të ndara duke përfshirë financimin, transportin nga vendet e Amerikës Latine, përpunimin dhe futjen në tregjet e Europës.

Në kuadër të procedimit penal nr. 141/1 të vitit 2023 ka zbardhur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të lëndës narkotike të llojit “kokainë” nga vendet e Amerikës Latine, e kontaminuar dhe më pas e përpunuar dhe trafikuar në Shqipëri dhe në tregun evropian.

Ky hetim deri tani ka çuar në arrestimin e shtatë shtetasve shqiptarë dhe tre shtetasve nga Amerika Latine si dhe në zbulimin dhe sekuestrimin e një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, Fushë Krujë. Po ashtu, janë identifikuar ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës. Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale.

Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, është udhëhequr tërësisht nga prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe hetuesit e BKH-së, të cilët kanë përdorur një gamë të gjerë të teknikave të posaçme të hetimit. Bashkëpunimi i ngushtë me agjencitë ligjzbatuese vendase dhe të huaja ka qenë kyç për avancimin e këtij operacioni të rëndësishëm kundër trafikut ndërkombëtar të drogës.

Të arrestuarit janë:

Shtetas shqiptar:

G.S., 42 vjeç, banues në Tiranë
K.B., 40 vjeç, banues në Tiranë
A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
E.S., 25 vjeç, banues në Krujë
A.Z., 37 vjeç, banues në Tiranë
I.A., 51 vjeç, banues në Shkodër
B.H., 57 vjeç, banues në Durrës

Shtetas të huaj:

H.L.N., 41 vjeç, shtetas kolumbian
J.R.V., 35 vjeç, shtetas venezuelian
S.A.S., 42 vjeç, shtetas venezuelian

Provat e sekuestruara përfshijnë:

Material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024;

6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë;

36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro);

89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës;

Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie;

22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM;

3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.

Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.

Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.

Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.

Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.

Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.

Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal.