I ftuar në “Live From Tirana” ka qenë La Fazani, një artist unik dhe shumë i veçantë në llojin e tij. Prej vitesh ai na ka surprizuar me projektet e tij, që vijnë sa aktuale, aq edhe në një formë satirike. Ai na ka folur më shumë mbi procesin e tij të krijimit dhe planet që ka tani për këngët e tij të reja.
Si ishte kjo verë për ty? Ke pasur mundësi të pushosh apo të punosh me projekte të reja?
Kam pasur një fazë të shkurtër 10-ditore me pushimet, por do shkojmë sërish në jug aty ku e kemi lënë. Kjo verë ka qenë e mbushur me performanca. Nuk e di pse por verës 10-fishohet numri i datave të performancave dhe duhet ta shfrytëzosh për të punuar sa më shumë. Sepse kur vjen tetori bie drastikisht numri i ftesave për të performuar nëpër festivale.
Ke në plan të kthehesh me projekte të reja pas pushimeve?
Kam këngë të reja që mezi pres t’i punoj edhe aspektin vizual dhe t’i publikoj. Në mars kam publikuar albumin “Specie Turshi”, që kisha 2-3 vite që e punoja. Kur lançon një album, sidomos kur e punon gjatë, është një proces jo shumë i legtë për artistin se si të rigjejë veten dhe si të vazhdojë përpara me projektin e ardhshëm. Nga muaji mars e deri para dy muajsh, ka qenë një hulumtim se si do i qasem projektit të ardhshëm. Tani po më duket se e kam të qartë se çfarë do të bëj. Jam në proces të punës, 2-3 këngë i kam të përfunduara dhe do I përfundojmë dhe 4-5 të tjera dhe shpresojmë ta punlikojmë një album në fillim të vitit 2025.
Ti je një artist shumë unik dhe i veçantë, edhe për sa i përket titujve të këngëve. Sa kohë të merr e gjitha kjo?
Një prej punëve që një artist duhet të kryejë, është t’i shërbejë popullit, t’i marrë tematikat e përditshmërisë, fjalë që ne i përdorim në përditshmërinë tonë dhe që jo domosdoshmërisht jemi mësuar që t’i dëgjojmë në vepra apo këngë. Kemi shumë për të thënë e për të folur. Për mua është e natyrshme ta bëj këtë. Nuk më duhet të merrem shumë gjatë që të gjëj një koncept të tillë. Këto gjëra na rrethojnë në përditshmëri dhe mundohem t’i kap e t’i fus në krijimtarinë time.
A ka një vend ku arratisesh kur nuk ndihesh mirë?
Kam një proces jo aq të shëndetshëm që është të punoj, t’i hyj menjëherë punës. E vetmja gjë që mund të më shpëtojë kur nuk jam mirë, është të ushtrohem fizikisht, por dhe të hyj në studio dhe të hyj menjëherë në krijimtari. Ka metoda më të mira sim und ta trajtosh veten kur nuk je emocionalisht mirë, por kjo është mënyra ime.
Ka një këngë tënden që të emocionon sa herë që e dëgjon?
Është ndoshta një këngë e vjetër që e kam bërë kur kam qenë 16 vjeç me grupin Oborri. Nuk është këngë që njihet shumë, e ka emrin “N’kohna”. Është këngë që ka shumë vlerë për mua sepse e kam shkruar kur kam qenë shumë i vogël dhe është këngë shumë e thellë. Më kujton një kohë më të çiltër.