Shtypi francez dhe ai italian raportojnë se Kylian Mbappe është tashmë prej disa muajsh në një lidhje me modelen e njohur Ines Rau, pas ndarjes nga aktorja Emma Smet. Të dy thuhet se janë lidhur prej disa muajsh, pasi ata u panë për herë të parë bashkë majin e kaluar gjatë Festivalit të Filmit në Kanë.
Më pas, paparacët e fotografuan futbollistin me Ines në një jaht gjatë pushimeve me miqtë e tyre. Në fotot e realizuara Mbappe ishte duke u përqafuar me bukuroshen dhe veprimet me njëri-tjetrin ishin mjaft intime. Megjithatë, pavarësisht fotove, dyshja ende nuk kanë komentuar thashethemet, sipas Corriere della Sera.
Ines Rau, e lindur në Paris në vitin 1990 nga prindër algjerianë, është e njohur në të gjithë botën sepse ajo ishte modelja e parë transgjinore që doli në kopertinën e “Playboy” në vitin 2017. Në moshën 16-vjeçare, Ines iu nënshtrua një operacioni për të ndryshuar gjininë, por vetëm në moshën 24-vjeçare zbuloi publikisht historinë e saj.
Në vitin 2018 u publikua libri i saj autobiografik me titull “Woman”. Ines e përshkroi shndërrimin nga burrë në grua me fjalët:
Ndjej se shpirti im më në fund është i lirë, sikur të ishte hapur dryni që më mbajti të mbyllur për kaq shumë kohë. Këtë herë jam totalisht grua.
Tani 32-vjeçarja është një supermodele e klasit botëror. Ajo ka një diferencë 9-vjeçare me Mbappe.
E ardhmja e Kylian Mbappe prej rreth një viti ishte një nga temat më të diskutuara në media, me Real Madrid-in që kërkonte ta afronte te “Los Blancos” sulmuesin dhe nga ana tjetër, me klubin që ka në posedim kartonin e tij Paris Saint-Germain, që kurrsesi nuk pranonte të hiqte dorë nga 23-vjeçari. Në momentin kur u duk më afër se kurrë Real-it, Mbappe zgjodhi qëndrimin në Paris, duke i habitur të gjithë me vendimin e tij.