Ministrja për Barazi e Danimarkës, Trine Bramsen bëri thirrje që aplikacioni i komunikimit me origjinë ruse, Telegram, të ndalohet në vendin e saj, me arsyetimin se ndahen përmbajtje “ngacmuese” ndaj grave me origjinë nga Lindja e Mesme. Në deklaratën e saj për gazetën “Berlingske”, Bramsen theksoi disa probleme të hasura në Telegram. Ajo tha se në aplikacion shpesh përfshihen përmbajtje “ngacmuese” ndaj grave me origjinë nga Lindja e Mesme dhe shtoi se për këtë arsye Telegrami duhet të bllokohet në vend.
Fatkeqësisht, ne kemi parë disa shembuj skandalozë në Telegram që janë veçanërisht degraduese për gratë e reja etnike dhe mund të rezultojnë që familjet e tyre t’i përjashtojnë ato ose më keq. Nuk mendoj se mund ta shohim ndryshe kur platformat përdoren për krime dhe rrezikojnë jetën e të rinjve. Është e mundur të vendosen disa filtra kundër llojeve të tjera të përmbajtjes ilegale. Në fund të fundit kjo do të jetë çështje e gjykatave, por ne duhet të sigurojmë që ligjet e duhura të jenë në fuqi përmes legjislacionit.
Telegram, themeluesit e të cilit janë biznesmenët rusë, vëllezërit Nikolai dhe Pavel Durov, u prezantua si alternativë për WhatsApp dhe funksionon që nga viti 2013. Telegram pritet të arrijë 1 miliard përdorues këtë vit. Këtë e bëri të ditur bashkëthemeluesi i saj, Pavel Durov në një intervistë.
Duke u ofruar përdoruesve funksione chat-i në grupe masive me të ashtuquajturit kanale, me theks te privatësia dhe kriptimi, Telegram ka 900 milionë përdorues në muaj, duke e bërë aplikacionin e gjashtë më të përdorur në botë pas Facebook, YouTube, WhatsApp, TikTok, Instagram dhe WeChat. “Telegram po përhapet si zjarri në pyll” dhe parashikohet se do të rritet deri në 1 miliard përdorues në vitin 2024, deklaroi Durov.