Bota

Ky vend po kërkon punëtorë të këtyre profesioneve dhe ju paguan mbi 6 mijë euro në muaj…

Luksemburgu kërkon specialistë, por jo vetëm. Paga mesatare në Dukatin e Madh është 73,418 euro në vit, rreth dy herë më e lartë se shumë vende të BE-së. Po të kemi parasysh pagën 12 mujore, paga mesatare në shtetin më të vogël europian është 6118 euro në muaj, ndërsa paga minimale për një punëtor të pakualifikuar është 2570.93 euro, minimumi i përcaktuar me ligj.

Nuk është vetëm paga e lartë që e bën Dukatin e Madh kaq tërheqës, shkalla e papunësisë është më e ulëta e regjistruar në të gjithë Eurozonën, me një përqindje prej vetëm 5.7%. Luksemburgu konfirmon edhe një herë veten si një nga vendet më tërheqëse në zonën evropiane, veçanërisht pasi kompanitë e mëdha ndërkombëtare të teknologjisë dhe financave kanë vendosur të hapin selitë e tyre në kontinentin e vjetër në Dukatin e Madh.

Janë tre mijë pozicione të zbuluara në vendin evropian. Ndër profilet më të kërkuara janë ato në sektorin bankar, financiar, IT dhe shëndetësi. Sektori i transportit dhe i pasurive të paluajtshme gjithashtu shpesh kërkojnë staf. Por ka nevojë edhe për ekspertë në mirëmbajtjen e banesave, si elektricistë dhe hidraulikë, të makinave për profilet e mekanikëve dhe specialistëve të gomave, si dhe në kujdesin e njerëzve, si kujdestarët dhe infermierët. Në portalin evropian Eures mund të gjeni mbi 2800 reklama, edhe pa qenë nevoja e diplomave.

Ndërkaq, emigrimi i shqiptarëve të kualifikuar, ose siç konsiderohen ‘truri’ i vendit, duket se përballen me një realitet tjetër jashtë Shqipërisë. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se vetëm 28% e emigrantëve shqiptarë arrijnë të punësohen në profesionet të cilat janë arsimuar, që e bën të renditet ndër të fundit në nivel global. Ekspertët e punësimit ngrenë shqetësimin se numri i madh i diplomave të marra në Shqipëri nuk ju siguron dijet e nevojshme për t’u përshtatur në tregun ndërkombëtar.

“Që do të thotë nga 100 shqiptarë të arsimuar që largohen nga Shqipëria, vetëm 28 prej tyre punojnë në profesion. Në radhë të parë, ky arsimimi që ne e quajmë këtu, kur shkon dhe ballafaqohet me njohuritë dhe aftësitë që duhen në vende që janë më të zhvilluara se ne, si duket ne nuk kemi të njëjtën gjatësi vale me ta dhe kjo e bën që të arsimuarit tanë të mos konsiderohen si të tillë. Pra, të shihet me kujdes pjesa e trurit tonë është vërtetë truri apo pseudotru?”-tha Erald Pashaj, ekspert punësimi.