Ministrave holandezë u kërkohet të dorëzojnë celularët e tyre përpara mbledhjeve të kabinetit për të shmangur rrezikun e përgjimit, sipas një rregulloreje të re të shpallur nga kryeministri Dick Schoof. Schoff ndaloi në mënyrë proaktive të gjitha pajisjet elektronike me mikrofona, si telefonat inteligjentë dhe tabletët, nga mbledhjet e kabinetit. Ai ka qenë më parë kreu i shërbimit sekret të vendit.
Sipas ministres së Brendshme Judith Jittermark, nuk ka asnjë provë që shërbimet sekrete të huaja po monitorojnë telefonat e ministrave por shtoi se kryeministri kërkon siguri. Rregullat e reja nënkuptojnë që ministrat tani duhet të mbajnë përsëri shënime në letër. Rikujtojmë, se telefonat celularë do të ndalohen në klasat italiane në vitin e ri shkollor, sipas një dekreti të lëshuar këtë javë nga administrata e djathtë e kryeministres Giorgia Meloni.
Masa u prezantua nga ministri i Arsimit, Giuseppe Valditara dhe synon të ndalojë përdorimin e telefonave inteligjentë në shkolla, përfshirë për qëllime mësimore, shkruajnë mediat e huaja. Tabletat dhe kompjuterët mund të përdoren ende me pëlqimin e mësuesve. Ndalimi i celularëve synon të përmirësojë sjelljen e nxënësve.
Përveç kësaj, nxënësit e shkollës duhet të inkurajohen të përmirësojnë aftësitë e tyre të shkrimit të dorës. Valditara njoftoi më tej rifutjen e një “kalendari shkollor” në të cilin detyrat duhet të shkruhen me dorë. Ndalimi i telefonave celularë në shkollat italiane është vendosur prej disa vitesh, por nuk u zbatua gjerësisht. Vende të tjera kanë prezantuar masa të ngjashme në vitet e fundit për të krijuar një mjedis më të mirë mësimor për nxënësit e shkollave.