Bota

Ky vend miraton ligjin që klasifikon pilulat e abortit si substanca të rrezikshme!

Shteti i Luizianës, një shtet konservator në jug të Amerikës, miratoi së fundmi një projektligj që kriminalizon posedimin e pilulave për abortin pa recetë. Teksti, i miratuar nga Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve, i klasifikon pilulat e abortit si substanca të rrezikshme, diçka e paprecedentë në SHBA dhe miratohet nga guvernatori republikan i shtetit, Jeff Landry.

Vendimi vjen pasi çështja e abortit dhe të drejtave riprodhuese është bërë një çështje kyçe në fushatën përpara zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit, kur presidenti demokrat Joe Biden do të përballet me paraardhësin e tij republikan, Donald Trump.

Ligji përcakton mifepristonin dhe misoprostolin, substanca që përdoren përgjithësisht për të ndërprerë shtatzënitë, si substanca të kontrolluara, duke i vendosur ato në të njëjtin nivel me barnat si Valium dhe Xanax. Marrja e këtyre pilulave pa recetë dënohet me burg dhe gjobë mijëra dollarë. Zëvendëspresidentja e SHBA Kamala Harris e quajti ligjin “të papranueshëm”.

Rikujtojmë se më 1 maj hyri në fuqi ligji i ri në Florida të SHBA-ve që ndalon shumicën e aborteve pas gjashtë javëve shtatzëni, kur shumë gra ende mund të mos e dinë që janë shtatzënë. Disa mjekë kanë shprehur shqetësimin se gratë nuk do të kenë më qasje në kujdesin e nevojshëm shëndetësor.

Leah Roberts, një endokrinologe riprodhuese dhe specialiste e fertilitetit nga Boca Fertility, thotë se ligjet kundër abortit të miratuara nga Florida dhe shtetet e tjera të udhëhequra nga republikanët po shkruhen nga njerëz që nuk e kuptojnë shkencën mjekësore. Rregullat nuk prekin vetëm gratë që duan aborte për shkak të zgjedhjes personale, por edhe shtatzënitë e paqëndrueshme për gratë që duan të kenë fëmijë. Ndalimi i ri përjashton ndalimin e aborteve kur flitet për shpëtimin e jetës së një gruaje, si dhe në rastet që përfshijnë përdhunim dhe incest.