Ministri i Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve Klimatike në Turqi, Murat Kurum, ka bërë të ditur se vendi ka regjistruar muajin korrik më të nxehtë në 53 vitet e fundit. Në llogarinë e tij në platformën sociale X, ministri Kurum theksoi se temperatura më e lartë prej 45.9 gradë Celsius u regjistrua në rrethin Cizre të provincës juglindore Şırnak dhe temperature më e ulët prej 5.2 gradë Celsius u regjistrua në provincën lindore Erzurum.
Duke theksuar se nga e hëna e ardhshme pritet rritje e temperaturave, Kurum u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen më të kujdesshëm. Rritja e temperaturave ka shkaktuar pasoja të shumta në mjedis.
Mbi 47,000 persona vdiqën në Evropë për shkak të temperaturave ekstremisht të larta në vitin 2023 dhe vendet në jug të kontinentit vuajtën pasojat më të rënda, sipas një raporti të Institutit të Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal). Viti i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar në botë. Ndërkohë që temperaturat vazhdojnë të ngrihen për shkak të ndryshimeve klimatike, evropianët jetojnë në kontinentin me ngrohjen më të shpejtë në botë, duke u përballur me rreziqe në rritje për shëndetin.
Në këto ditë të nxehta gushti kur temperaturat janë të larta, mjekët po japin këshilla për kujdesin e të gjitha grupmoshave sidomos në orarin 11:00-18:00. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale këshillat e bluzave të bardha ndërsa iu kërkoi qytetarëve t’i ndjekin ato në mënyrë që të shmangin efektet shëndetësore negative nga temperaturat e larta.