Qeveria australiane ka njoftuar se do të prezantojë një legjislacion të ri që synon të ndalojë përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën 16 vjeç. Kryeministri Anthony Albanese tha se ky projekt-ligj, i cili pritet të paraqitet në parlament javën e ardhshme, ka për qëllim të mbrojë fëmijët nga dëmet që mund të shkaktohen nga përdorimi i platformave si TikTok, Instagram dhe Facebook.
Albanese theksoi se ligji është një hap i rëndësishëm për të adresuar shqetësimet e prindërve në lidhje me sigurinë e fëmijëve të tyre në internet. Ai shtoi se “kjo është për nënat dhe baballarët” që janë të shqetësuar për ndikimin që mediat sociale mund të kenë në shëndetin mendor të fëmijëve të tyre.
Sipas ligjit të propozuar, fëmijët nën 16 vjeç do të ndalohen të krijojnë dhe përdorin llogari në platformat e mediave sociale. Megjithatë, ky ndalim nuk do të zbatohet për ata që tashmë janë regjistruar në këto platforma. Nuk do të ketë përjashtime nëse fëmijët kanë pëlqimin e prindërve, dhe barra do të bjerë mbi platformat e mediave sociale për të siguruar që ato po marrin masa të arsyeshme për të parandaluar aksesin.
Kryeministri Albanese shpjegoi se nuk do të ketë ndëshkime direkte për përdoruesit, por do të jetë përgjegjësi e Komisionerit të Sigurisë Online të Australisë për të zbatuar ligjin. Po ashtu, ligji do të hyjë në fuqi pas 12 muajsh dhe do të rishikohet pas një periudhe të caktuar për të vlerësuar efikasitetin e tij.
Megjithatë, ky hap ka ngjallur diskutime të forta mes ekspertëve dhe aktivistëve. Disa ekspertë kanë ngritur dyshime se ndalimi mund të vonojë vetëm ekspozimin e fëmijëve ndaj këtyre aplikacioneve, në vend që t’u mësojnë atyre se si të përdorin mediat sociale në mënyrë të sigurt. Përpjekjet e mëparshme për të kufizuar përdorimin e mediave sociale, përfshirë ato nga Bashkimi Evropian, kanë hasur në vështirësi dhe kritika nga kompanitë e teknologjisë.
Një grup i madh i aktivistëve për të drejtat e fëmijëve ka kritikuar legjislacionin e propozuar, duke e quajtur atë si një “instrument shumë të hapur” dhe duke kërkuar që qeveria të fokusohen më shumë në vendosjen e standardeve të sigurisë për platformat e mediave sociale, në vend të një ndalimi të drejtpërdrejtë.
Nga ana tjetër, disa aktivistë mbështesin fort ligjin, duke argumentuar se ndalimi është i nevojshëm për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtje të dëmshme, ngacmime dhe presionet sociale që mund të përjetojnë online. Një peticion i iniciativës 36Months, që ka mbledhur mbi 125,000 nënshkrime, kërkon që përdorimi i mediave sociale të ndalohet për fëmijët deri në moshën 16 vjeçare.
Pavarësisht kundërshtive, Albanese mbrojti ligjin dhe shpjegoi se platformat e mediave sociale kanë algoritme që ndikojnë në sjelljen e përdoruesve dhe se është e nevojshme të merren masa për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet që ato mund të sjellin.