Bota Tech

Ky robot i vogël po ‘zë vendin’ në shkollë të fëmijëve që janë sëmurë…

Mungesa për një kohë të gjatë në shkollë për shkak të sëmundjeve kronike ka gjithashtu efekte negative në procesin e të nxënit të fëmijëve. Për fëmijët të cilët i nënshtrohen trajtimit afatgjatë ose kanë probleme me shëndetin mendor, kompania norvegjeze “No Isolation” zhvilloi robotin AV1, i cili mund të zërë vendin e një fëmije në klasë, duke shërbyer si sytë, veshët dhe zëri i tyre dhe duke i ndihmuar ata të qëndrojnë të lidhur me bashkëmoshatarët e tyre apo të marrin të njëjta njohuri mësimore si ata.

AV1 duket si një model i thjeshtuar i kokës dhe bustit të njeriut. Ai mund të rrotullohet 360 gradë dhe është i pajisur me një aparat fotografik, mikrofon dhe altoparlant. Mësuesit e vendosin atë në një tavolinë klase dhe nxënësi e kontrollon atë nga distanca duke përdorur një aplikacion, për të cilin u jepet një fjalëkalim unik.

Por kjo nuk është e gjitha – AV1 mundëson gjithashtu ndërveprimin. Fëmija mund të flasë me shokët e klasës ose me mësuesin përmes altoparlantit dhe me funksionin “ngre dorën” ku koka e robotit ndizet, që do të thotë se nxënësi është gati për të marrë pjesë në mësim. Në sytë e robotit mund të shfaqen edhe emocione të ndryshme – ikona emoji që e ndihmojnë fëmijën të shprehë se si ndihet.

Sipas drejtoreshës së marketingut të “No Isolation”, Florence Salisbury, ka 3 mijë njësi AV1 në 17 vende të botës, kryesisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, ku në të dyja këto vende janë 1 mijë robotë në funksion. Në Mbretërinë e Bashkuar, shkollat ​​mund të marrin me qira AV1 për rreth 150 £ në muaj, ose të zgjedhin një blerje një herë për 3,700 £ me një paketë shërbimi shtesë prej 780 £ në vit.