Aktualitet Politikë

Kuvendi sot në seancë, diskutime mbi ҫështjet e evidentuara nga zgjedhësit!

Kuvendi i Shqipërisë sot zhvillon një seancë plenare ku do të diskutohen çështjet e evidentuara nga zgjedhësit. Në rendin e ditës parashikohet miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.9.2024. Më pas do të ketë diskutime nga deputetët për jo më shumë se 4 orë.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të ketë 128 minuta në dispozicion për diskutime; Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike 67 minuta; Grupi Parlamentar “Aleanca për Ndryshim” do të ketë 12 minuta; Grupi Parlamentar “Drejtësi dhe Integrim” do të ketë 12 minuta. Teksa minutazh do të ketë edhe për deputetë jashtë grupeve parlamentare.

Nga mbledhja e disa komisioneve parlamentare, pasdite pritet që seanca plenare e Kuvendit, të fillojë në orën 17:00. Temë kryesore, çështjet zgjedhore ku pritet të trajtohet edhe vota e diasporës. Opozita paralajmëroi që pas dënimit dhe burgosjes së deputetit Ervin Salianji për “Kallëzim të rremë” në dosjen “Babale”, nuk do të ketë më jetë parlamentare normale e  do mbajë protesta.

Edhe dje, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Sali Berisha bëri thirrje për “t’u hedhur në sulm kundër narkoqeverisë”. Kryetari demokrat u shpreh se në përgjigje të “deklaratave të luftës” nga ana e qeverisë, me rastin më të fundit, burgosjen e Ervin Salianjit, “demokratët duhet të sulmojnë duke përdorur gjithë mjetet e mosbindjes civile”.

Kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 7 tetor. Ekzekutivi duhet të paralizohet deri në vendosjen e qeverisë teknike. Pas të gjitha këtyre, shqiptarët presin nga ne sulm dhe vetëm sulm.

Revolta jonë, sulmi ynë duhet të jetë në nivelin e sulmeve që na janë bërë për të na fshirë nga faqja e dheut ndaj edhe ne do të kalojmë në sulm. Edi Rama ka instrumente për të na burgosur, por ne, me guximin e revoltën tonë, e paralizojmë anëkënd vendit këtë narkoqeveri kriminale, armike e egër e lirive.

Të hidhemi në sulm me të gjithë mjetet e mosbindjes civile. Kjo mbledhje është thirrur për t’u rënë borive të betejës, për përgjigjen tonë më 7 tetor. O sot o kurrë, pa kthim mbrapa. Të paralizohet qeveria deri në vendosjen e qeverisë teknike!