Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare e ku në rendin e ditës është interpelanca urgjente me kryeministrin Edi Rama, kërkuar nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, si dhe interpelanca urgjente me zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Gjithashtu, në seancën e sotme do të merret në shqyrtim projektvendimi “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.
Në fund të gushtit, kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi ka paraqitur draft-raportin që do i dorëzohet Kuvendit ku analizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Xhaçkës.
Kuvendi ka detyrimin që të votojë për dërgimin e këtij mocioni në Gjykatën Kushtetuese, si mënyra e vetme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe mënyra e vetme e zgjidhjes së këtij konflikti kompetencash. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Kuvendi nuk ka hapësirë për interpretimin e normave kushtetuese, pasi nuk është në pozitat e interpretuesit të parë dhe origjinal të tyre, për sa kohë që për çështjen konkrete është shprehur Gjykata Kushtetuese, e cila në vendimmarrjen e saj ka konstatuar se mocioni i jo më pak se 1/10-ës së deputetëve plotëson kriteret juridiko-formale për vënien e saj në lëvizje nga Kuvendi, ndaj ky i fundit nuk ka pasur hapësirë për të vlerësuar sërish ato.
Në seancë pritet të diskutohet dhe Akti Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe Akti Normativ “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
Pjesë e seancës janë edhe diskutimi i disa projektligjeve si ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””; projektligji “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””; Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për peshkimin”, të ndryshuar, etj.