Kuvendi i Shqipërisë sot zhvillon një seancë plenare ku në rend të ditës janë dy interpelanca të kërkuara nga opozita me dy anëtarë të qeverisë. Fillimisht është planifikuar që të zhvillohet ajo me ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, e kërkuar nga deputeti demokrat Ervin Salianji. Sipas tij, Balla duhet të japë sqarime mbi gjendjen e kriminalitetit në vend e në lidhje me masat e marra për të frenuar atë që e cilëson “trafik masiv i drogës”.
Më pas, do të zhvillohet interpelanca me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, kërkuar nga deputetja tjetër demokrate Ina Zhupa. Kjo lidhur me rezultatet e testit ndërkombëtar të PISA-s e ku u renditëm mes 15 vendeve të fundit.
Rendi i ditës së seancës së sotme plenare përfshin edhe pika të tjera. Punimet pritet të jenë të gjata e me një sërë çështjesh të rëndësishme për t’u trajtuar.
Në rend të ditës do të jetë edhe projektligji “Për ofruesin e shërbimeve të lundrimit ajror “Albcontrol”.
Gjithashtu edhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.
Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për ratifikimin e Konventës për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës”.
Në rendin e ditës është edhe projektligji “Për ratifikimin e protokollit për ligjin e zbatueshëm për detyrimet ushqimore”.
Kuvendi do të shqyrtojë Dekretin nr. 295, datë 24.10.2023, “Për kthimin e ligjit nr. 77/2023 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020 “Për shtetësinë”.
Parlamenti do të shqyrtojë edhe dy projektvendime për zgjedhjen e kryetarit dhe një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë.