Gardh metalik para Kuvendit të Shqipërisë para seancës plenare të radhës nga e cila janë përjashtuar mbi 20 deputetë demokratë lidhur me aktet e dhunës më 30 shtator, po në selinë e parlamentit. Garda e Republikës ka vendosur të shtojë masat ndërsa opozita ka paralajmëruar vazhdim të mosbindjes civile, duke nënkuptuar përplasje me efektivë të Gardës dhe konflikt me deputetët e maxhorancës. Opozita protestoi edhe më 7 tetor, në kuadër të mosbindjes civile e në protestën kombëtare në kryeqytet sërish pati akte dhune.
Dje u mësua se deputetët e opozitës do të duhet të paguajnë shumën e rreth 765 mijë lekëve për djegien e karrigeve gjatë seancës parlamentare të 30 shtatorit në Kuvend. Grupi i Kontrollit dhe Auditit të inventarit të dëmeve që ngriti vetë Parlamenti, përfundoi bilancin dhe nxori në përfundim shifrën.
Sipas filmimeve, në dëmtimin, djegien e karrigeve, shkatërrimin e mikrofonëve, dyerve dhe foltores, janë deputetët demokratë Gazment Bardhi, Flamur Noka, Bledjon Nallbati dhe Elda Hoti, të përjashtuar me 40-60 ditë nga Kuvendi e madje të denoncuar në Prokurori bashkë me 19 kolegë. Shumën më të madhe duhet ta paguajë kryetari i grupit, mbi 209 mijë lekë.
Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, e thirrur nga deputeti Agron Shehaj. Po ashtu, janë disa projektligje, si dhe raporti vjetor për Kontrollin e Lartë të Shtetit, KLSH.
Në rend të ditës është edhe projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 465, date 29.9.2011, Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit” i ndryshuar.
Më pas Kuvendi do të shqyrtojë projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit së Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, i ndryshuar, raundi i tretë.
Si dhe projektvendimin “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, raundi i tretë.
Në rend të ditës është edhe projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e kryetarit të Bordit”.
Seanca e 10 tetorit nuk u zhvillua për shkak të vizitës në vendin tonë të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili mori pjesë në inaugurimin e Xhamisë së Madhe të Tiranës, e njohur ndryshe si e Namazgjasë.
Deputetët e opozitës do ta zhvendosin protestën në dyert e Parlamentit Europian. Më datë 23, pjesa dërrmuese e grupit parlamentar të Partisë Demokratike udhëton drejt Strasburgut. Sipas informacioneve, parashikohet të kenë takime me zyrtarë të Parlamentit Europian dhe eurodeputetë. Gjithashtu mësohet se deputetët do të shkojnë me shpenzimet e tyre.
Deputetët pritet të denoncojnë situatën politike në vend, si dhe arrestimet dhe burgosjet politike që po ndodhin në radhët e opozitës. Pas Strasburgut, pritet të organizohen protesta në Tiranë me bllokim qarkullimi. Kujtojmë se seancat e fundit plenare në Kuvend janë shoqëruar me tensione të forta mes opozitës dhe maxhorancës.