Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, opozita në protestë!

Kuvendi i Shqipërisë sot mblidhet në seancë plenare, ku ndër të tjera, në rend dite është dhe projektligji që i hap rrugën pagesës së punonjësve e ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Po ashtu, pritet të votohet ngritja e dy komisioneve, ai për dezinformimin dhe kundër korrupsionit.

Sot kalojnë edhe emrat e anëtarëve të Komisionit Anti-Korrupsion që do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj. Në projekt-vendim, maxhoranca ka vendosur dhe emrat nga radhët e opozitës, por Gazment Bardhi tha se nuk ka kthim nga rruga e bojkotit.

E frymëzuar nga emisioni “Report” në Rai 3, sot opozita pritet të zhvillojë një aksion paralel jashtë dhe brenda Kuvendit, duke kërkuar debat mbi këtë çështje.

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar protestë para Kuvendit në orën 11:00. Berisha iu kërkoi qytetarëve të marrin pjesë, siç u shpreh “për të rrëzuar Edi Ramën dhe shkërmoqur narkoshtetin e tij, që ju shkatërroi ëndrrat dhe të ardhmen dhe po shkatërron çdo gjë”.

Kuvendi parashikon të diskutojë 13 pika në rendin e ditës, mes të cilave 5 janë projektligje. Më tej, sipas rendit të ditës, Kuvendi do të diskutojë një seri marrëveshjesh siç është dhe ajo e miqësisë me Ukrainën.