Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu do të jetë sot në dy interpelanca në seancën plenare të Kuvendit. Të dyja u kërkuan nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, si dhe nga Arbi Agalliu, pas skandalit në Spitalin Onkologjik në QSUT. “Pazaret” me jetën e të sëmurëve ndezën tensionet në Kuvend mes palëve, në seancën e 27 qershorit. Opozita goditi tavolinat dhe kërkoi dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu. Albana Vokshi:
Në këtë qeverisje, të paktën tre ministra, Albana Koçiu, Ulsi Manja dhe Ogerta Manastirliu duhet të ishin shkarkuar. Kanë qenë në dijeni të skandalit të Onkologjikut dhe nuk kanë reaguar. Koka e korrupsionit janë këta tre ministra.
Ministrja Koçiu u shpreh se nuk mund të përbaltet kushdo.
Kam detyrën morale për të cekur sërish çështjen tonë të famshme të Onkologjikut. Padyshim që abuzimi i rëndë që ata kanë luajtur me jetën e të sëmurëve duke kaluar çdo lloj norme, ka vetëm një përgjigjie: ndëshkimin ligjor, administrativ e moral.
Do të mbajnë mbi shpinë jo vetëm peshën e ligjit, por edhe moralin e turpit. Për të sanksionuar me ligj të gjithë ata mjekë, ata që nuk mund t’i quaj më as profesionistë, që e trajtojnë jetën njerëzore si mall në tregun e shumicës, ne do të kërkojmë ndryshime në ligj. Do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të detyrës nëse bëjnë sjellje amorale.
Kam lexuar qëndrime nga ato kritiket…. Kam lexuar e dëgjuar çdo qëndrim, çdo zë. Nuk mund të përbaltet çdokush që e vazhdon punën me vendosmëri e profesionalizëm të lartë, që janë shembuj të ekipeve mjekësore.
Shumëkush nga ne ka një eksperiencë të mirëfilltë sa i përket kujdesit shëndetësor në shëndetin publik. Ne vlerësojmë ndershmërinë dhe abuzuesit do të marrin në çdo kohë ndëshkimin e merituar.
Ndërkaq, sot në rend dite janë edhe raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2023; raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2023; raporti vjetor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2023; si dhe raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2023.
Po ashtu, në seancën plenare deputetët e Kuvendit do të diskutojnë dhe më pas hedhin për miratim edhe disa projektligje, sikurse janë: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë”; Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar”; Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, i ndryshuar”, Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i ndryshuar” si dhe Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për mbrojtjen e biodiversitetit””.