Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare/Interpelancë me ministren Koçiu!

Kuvendi i Shqipërisë sot zhvillon seancën plenare të radhës, që fillon në orën 10:00. Në rendin e ditës është parashikuar edhe interpelancë me ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, të kërkuar nga deputeti Agron Shehaj. Po ashtu, do të diskutohet projektligji mbi aderimin e Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, i nënshkruar në Nju Jork më 10 dhjetor 2008.

Një tjetër projektligj që do të diskutohet gjatë seancës plenare është edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për projektin “Bashki të forta (BTF), faza 2,” i cili mbështetet nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Priten debate pasi opozita kërkon zgjatjen e afatit të komisionit hetimor për Shëndetësinë. Ky komision për Sterilizimin e Check-Up/in vijoi me debate maratonë që zgjatën deri në mesnatë. Debatet nisën lidhur me dëshminë e ish-ministrit Ilir Beqaj, i cili për dy ditë u shoqërua me pranga në Kryesinë e Kuvendit por kjo dëshmi nuk u arrit të jepej. Ndërkaq, në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike për shtyrje të afatit të Komisionit Hetimor.

Kur Ilir Beqaj priste të jepte dëshminë në Kryesinë e Kuvendit, deputetët e Partisë Demokratike insistuan që në komision të thirreshin për të dëshmuar Vilma Nushi, si dhe kryeministri Edi Rama.

Të nënshkruajmë një vendim të ndërmjetëm ku kërkojmë shtyrjen e afatit dhe thirrjen e dëshmitarëve, Edi Rama dhe Vilma Nushi. Vijojmë marrim në pyetje Beqajn e të ezaurohet e gjithë lista e dëshmitarëve, tha kryetarja demokrate, Albana Vokshi.

Nga ana tjetër, socialistët akuzuan demokratët se nuk po lejojnë që ish-ministri Ilir Beqaj të mund të japë dëshminë e tij ndërsa Albana Vokshi dhe të tjerë deputetë të opozitës e zhvendosën debatin te përfituesja e koncesionit të Check Up-it, Vilma Nushi.

Plarent Ndreca, nënkryetari socialist i këtij komisioni kërkoi vazhdimin e rendit të ditës që ishte miratuar, duke theksuar:

Nëse doni që të bëni monologë, vazhdoni me monologët tuaj sepse ne duam që të vijojmë me rendin e ditës.