Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë plenare, diskutohen tre projektligje!

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet këtë të enjte në seancë plenare, ndërsa në rend të ditës janë për t’u diskutuar tre projektligje. Sipas njoftimit zyrtar, seanca plenare pritet të nisë në ora 10:00 nën drejtimin e zëvendëskryetarit Bledar Çuçi. Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenare të datës 28 tetor 2024 do të diskutohet projektligji “Për shkencën dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë”.

Në rend dite është parashikuar diskutimi për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë” si dhe projektligji për një ndryshim në ligjin, “Për fondin kullosor”, i ndryshuar.

Gjatë seancës plenare do të diskutohet edhe dekreti i kthyer nga presidenti Bajram Begaj, për ligjin “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

Po ashtu, në rend dite është edhe projektvendimi “Për zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor “Për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up-it në Shëndetësi” si dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimin e pagave të personelit me kohë jo të plotë pune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.

Partia Demokratike ka kërkuar që projektligji i ri për kërkimin shkencor në Shqipëri të tërhiqet, duke thënë se bie ndesh me Kushtetutën dhe me ligje të tjera, si ai “Për Arsimin e Lartë” dhe “Për Akademinë e Shkencave”. Deputetja Ina Zhupa, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, tha se “ky projektligj është futur për miratim në komisionin përgjegjës, pa rregullore, për ta miratuar dhe kaluar në seancë plenare”.

Kërkimi shkencor dhe shkenca nuk është çështje elitare por kombëtare sepse lidhet me zhvillimin e vendit, me kapitalin e tij njerëzor dhe me të ardhmen si vend i zhvilluar apo si vend depozitimi mbetjesh, refugjatësh, droge, krimi.

Në një deklaratë për mediat, Zhupa renditi arsyet themelore se pse ky draft nuk është i pranueshëm për Partinë Demokratike.

Së pari, ligji duhet të mos bjerë në kundërshti me Kushtetutën, siç bie tashmë në Pikën 7, të Nenit 57  ku thuhet se autonomia e institucioneve të Arsimit të Lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.

Së dyti, gjithë përplasjet me ligjin “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor duhet të zgjidhen në mënyrë integrale në ligj.

Së treti, zhbërja e Këshillit Shkencor me përbërje ministrash dhe drejtorësh politikë, me në krye kryeministrin Rama është një model antishkencor dhe antieuropian.

Deputetja e PD-së deklaroi se “projektligji i jep tagër ministrit të klasifikojë fushat e kërkimit shkencor, si detyrim për shkencën, ndërkohë kjo është pa sens”.