Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë, opozita: Marrim pjesë për të mbrojtur interesat e qytetarëve!

Kuvendi sot zhvillon seancë plenare, ku në rend dite është shqyrtimi i projektligjit “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2023”. Gjithashtu do të diskutojë projekvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 69/2021 “Për caktimin e anëtarësisë së komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar e atë “Për një ndryshim në vendimin nr. 70/2021 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit” i ndryshuar.

Dy ditë më parë, opozita paralajmëroi se do të jetë në Kuvend për të “mbrojtur interesat e qytetarëve që lidhen me politikat financiare të qeverisë të parashikuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm“. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi:

Të ikësh nga parlamenti do të thotë ndërprerje e mosbindjes civile dhe nga përballja me qeverinë.

Bardhi bëri të ditur se do të marrin pjesë në seancën plenare ku do të diskutohet buxheti 2025. Sipas tij, ky nuk do të thotë rikthim në një marrëdhënie të plotë normale me Kuvendin por se “opozita do të jetë përballë maxhorancës për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe pensionistëve”.

Ky është buxheti i fundit i kësaj qeverie të korruptuar e kërkon angazhimin e deputetëve të opozitës për ta shndërruar nga borxhi i oligarkëve në buxhetin e qytetarëve. Këtë rol mund ta luajnë vetëm deputetët e opozitës. Sepse deputetët e maxhorancës siç e kanë shfaqur këto 12 vite janë si kartonë për t’i shërbyer interesit të Edi Ramës, pa pasur në vëmendje fermerët, pensionistët, bizneset. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të jetë i angazhuar në një përballje intensive me maxhorancën gjatë gjithë procesit të diskutimit të projektbuxhetit 2025. Opozita do të jetë aty për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe pensionistëve.

Bardhi shtoi se në rastin konkret, aksioni i opozitës për zgjedhje të lira dhe aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojnë por gjithashtu deputetët do të përmbushin përgjegjësitë si përfaqësues të qytetarëve.

Vitin e kaluar, siç ju jeni dëshmitarë, ne kishim shpallur vendimmarrje që nuk do të ketë normalitet pa u plotësuar kushtet që ne kishim shpallur. Në rastin konkret, aksioni i opozitës për zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe aksioni i mosbindjes civile do të vazhdojnë. Por shtuar kësaj, deputetët do të përmbushin përgjegjësitë e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Kush ka menduar se opozita do t’i lërë terren Edi Ramës që të kalojë buxhetin e oligarkëve e jo të qytetarëve, e ka gabim. Ne do të jemi aty për të mbrojtur qytetarët.