Aktualitet Politikë

Kuvendi në seancë, opozita kërkon shpjegime për zhvendosjen e datës me 24 orë!

Kuvendi i Shqipërisë sot do të mblidhet në seancë plenare. Sipas dokumentit të publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit, në rend dite është edhe pr/ligji që parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Seanca plenare e paradites e që nisi punimet nën drejtimin e nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj, pritet që të trajtojë edhe të tjera pika.

Së pari, do të diskutohet raporti i veprimtarisë së Komisionerit të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil. Më pas janë dy projektligje.

Fillimisht sipas rendit të ditës do të diskutohet pr/ligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”. Dhe në fund do të diskutohet pr/ligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

Në nenin 17 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese propozohet që neni që parashikonte se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të ishte e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndryshohet dhe rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë të reja. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë të reja.

Si rregull, seanca plenare duhej që të mbahej ditën e nesërme, por u përshpejtua me një ditë për shkak të planeve të shumë deputetëve për të udhëtuar drejt Gjermanisë, me rastin e “Euro 2024”-ës, për të ndjekur Kombëtaren nga afër. Gazment Bardhi tha se vendimi për zhvendosjen e datës, nuk duhet të ishte i njëanshëm, por të merrte dhe miratimin e opozitës.

Nëse e bëtë seancën sotme për shkak të kampionatit, është e turpshme! Ne distancohemi. Vendim i njëanshëm! Shpjegoni pse e zhvendosët seancën nga e enjtja, në të mërkurën! E trajtoni Kuvendin si dyqanin tuaj personal.

Ermonela Felaj deklaroi:

Ju nuk morët pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve kur u vendos që seanca të bëhej sot.