Aktualitet Politikë

Kuvendi mbylli me një sërë votimesh seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar!

Kuvendi miratoi me 110 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, projektligjin “Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve për linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit – Porta Globale”.

Po ashtu me 72 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi  projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë””, i ndryshuar dhe me 103 vota pro, kaloi projektligji “Për miratimin e rezolutës nr. 265 “Rritja e fondit të kapitalit të autorizuar dhe regjistrimi/nënshkrimi në të” të vitit 2023 të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”.

Ndërkohë me 74 vota pro, me 24 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin “Për Policinë e Shtetit”.

Me 78 vota pro e 21 kundër u miratua Projektligj “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033”.

Kuvendi miratoi me 97 vota pro dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë” dhe me 76 vota pro e 15 kundër, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër”.

Projektligji “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, u miratua me 77 vota pro dhe 19 kundër. Ndërsa projektligji “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, u miratua me 76 vota pro dhe 18 kundër.

Për projektligjin “Për miratimin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë”, deputetët votuan me 76 vota pro dhe 20 kundër.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, u miratua me 76 vota pro dhe 20 kundër.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 78/2020 “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës” u miratua me 75 vota pro dhe 21 vota kundër. Ndërsa projektligji “Për një ndryshim në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë”, u miratua me 94 vota pro dhe 1 kundër.

Kuvendi miratoi me 78 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i ndryshuar dhe me 75 vota pro dhe 15 kundër u miratua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 35/2023 “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.

Gjithashtu Kuvendi miratoi projektvendimin “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS” me 76 vota pro dhe 3 kundër. Me 73 vota pro 13 vota kundër dhe 1 abstenim u miratua projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e nëndrejtorit ekzekutiv”.

Me 72 vota u miratua projektvendimi “Për emërimin e anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare” dhe me 90 vota pro dhe 2 abstenime u miratua projektvendimi “Për një ndryshim në vendimin nr. 67/2021 “Për caktimin e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”, i ndryshuar.