Rajoni

Kuvendi i Kosovës ratifikon marrëveshjen me Danimarkën për burgjet!

Kuvendi i Kosovës ratifikoi një marrëveshje për t’i lënë me qira Danimarkës një burg në Gjilan e ku pritet të kryejnë dënimet rreth 300 të burgosur danezë. Në një seancë me procedurë të përshpejtuar, parlamenti e miratoi marrëveshjen me shtetin danez, me 86 vota pro, 7 kundër e asnjë abstenim. Javën e kaluar, Kuvendi dështoi që ta kalonte projektligjin e parë dhe kur qeveria e ridërgoi, e ratifikoi përfundimisht ditën e sotme.

Kosova ra dakord që Danimarkës t’i japë me qira rreth 30 qeli të burgut në Gjilan e që gjendet afro 50 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë. Kjo në përputhje me marrëveshjen 10-vjeçare mes dy qeverive, e cila u nënshkrua në muajt prill e maj të vitit 2022.

Sipas planit, Kosova do të përfitojë rreth 200 milion euro nga kjo marrëveshje. Paratë pritet që t’i shpenzojë për Shërbimin Korrektues të vendit dhe për energjinë e ripërtëritshme. Danimarka nuk mund të dërgojë të burgosur të dënuar për terrorizëm dhe krime lufte e as të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, referuar planit.

Kosova dhe Danimarka e nënshkruan letër-pëlqim për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë në dhjetor të vitit 2021. Në prill të vitt 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat. Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me 80 vota pro apo ndryshe, të dy të tretave të deputetëve.

Çfarë përfshin Traktati?

Traktati ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty theksohet se Danimarka mund që të marrë në shfrytëzim qeli, të veçuara e të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Prishtina do të sigurojë mbi 200 milion euro.

Nga shuma 200 milion euro, 30 milion planifikohen të shkojnë për energjinë e ripërtrishme, ndërsa pjesa tjetër për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

Danimarka, me hyrjen në fuqi të marrëveshjes do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milion eurosh. Më tej, pritet që pagesa të bëhet në norma tremujore gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut, në përputhje me numrin e të burgosurve që objekti mund të strehojë.

Drejtuesit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Autoritetet në Danimarkë kanë thënë se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur me gati 20% nga viti 2015.